Të paraburgosurit nga Gjykata Speciale dhe të drejtat që iu mohohen

01 gusht 2021 | 14:26

Reagim i KMDLNj-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) edhe më parë ka reaguar për trajtimin që po iu bëhet të paraburgosurve , shtetas të Kosovës e që janë dërguar atje kundër vullnetit të tyre. Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, të gjitha vizitat familjare dhe të mbrojtësve ishin ndaluar dhe komunikimi bëhej përmes skypit apo telefonave. Nëse, për shkak të situatës emergjente ishin marrë këto masa kufizuese në mbrojtje të shëndetit të tyre, tash nuk mund të arsyetohet veprimi që i pamundëson familjarëve të Hysni Gucatit ta vizitojnë anëtarin e familjes. Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë përmes Zyrës për Mbështetje ka marrë përgjegjësinë konkrete të mbulojë të gjitha shpenzimet për vizita si dhe të ndihmojë në sigurimin e vizave. Tash, refuzimi i Holandës për të dhënë vizat familjarëve të Hysni Gucatit është në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e nënshkruar dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve e të mos flasim për Rregullat e Nelson Mandeles që i ka adoptuar kjo Gjykatë, si standard më i lartë i trajtimit. Edhe avokatët mbrojtës të licencuar nga kjo Gjykatë po përballen me shumë vështirësi gjatë pajisjes me viza. Në anën tjetër ka shumë vonesa në përkthimin e materialeve për të akuzuarit apo ato përkthehen vetëm pjesërisht e që ndikon në përgatitjen e mbrojtjes duke mohuar të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të pandikuar. KMDLNj proteston kundër këtyre shkeljeve flagrante nga Gjykata Speciale dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës të kërkojë sqarime nga Ministria për Punë të Jashtme e Holandës për problemet e shkaktuara lidhur me vizat duke këmbëngulur që vizat, si për familjarët ashtu edhe për avokatët të jenë afatgjata. Për aq kohë sa zgjatë puna e Gjykatës Speciale, familjarët dhe avokatët mbrojtës duhet të pajisen me pasaporta zyrtare. KMDLNj kërkon që deputetët e Kuvendit të Kosovës, në njërën nga seancat në vjeshtë të diskutojnë për këto probleme nëse ende mendojnë se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Në të kundërtën duhet të distancohen nga përgjegjësia duke e adresuar përgjegjësinë konkrete te BE-ja dhe Gjykata Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 100 vatra të zjarrit në Turqi janë vënë nën…