Të plagosurit para luftës kërkojnë të barazohen me invalidët
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar për statusin e personave të plagosur në Kosovë, para periudhës së luftës.
Përfaqësues i shoqatës së të plagosurve në demonstrata para luftës, Naim Zhitia, ka thënë se ata kërkojnë t’ju njihet kontributi i të plagosurve në demonstrata, duke hyrë në një nivel me kategoritë e invalidëve të luftës.
Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se ka nevojë për plotësim-ndryshim të ligjit.
“Këto kategori nuk janë përfshirë në përkufizimet e ligjit dhe të gjitha kategorive të tjera u njihet e drejta e kontributit të luftës. Ky ligj ka pësuar ndryshme ku janë përfshirë edhe personat e dhunuar gjatë kohës së luftës. Njëra prej opsioneve nëse ekziston vullneti politik duhet të bëhet një plotësim i ligjit për kategori të këtyre personave”, ka thënë Jashari.
Naser Behrami, i plagosur gjatë kohës së luftës, ka thënë se duhet t’u njihet kjo e drejtë legjitime, pasi sipas tij plagët e invalidëve kanë vlerën e saj.
“Ne kemi menduar që kemi shtet dhe institucione dhe na përfshijnë në ligj si persona të plagosur kemi menduar që do na përfshijnë në të drejtat tona dhe mendoj që kjo duhet të ndodhë. Prej pas luftës e gjithë situata këtu ka filluar mbrapsht, ne nuk duam as më shumë e as më pak vetëm të njihemi si kategori sipas ligjit. Rregullojeni ligjin dhe përfshina në këtë kategori pasi nuk jemi shumë. Kërkojmë nga ky komision që të na njihet kjo e drejtë e jona legjitime sepse plagët e invalidëve kanë vlerën e saj dhe ne nuk kërkojmë asgjë më shumë vetëm të na njihet e drejta jonë”, ka thënë Behrami, transmeton “Ekonomia Online”.
Kjo kategori e këtyre personave mori edhe përkrahjen e anëtarëve të komisionit.