Të premten dalin në shitje biletat për ndeshjet ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, ka bërë të ditur se biletat për ndeshjet kundër Danimarkës dhe Bullgarisë do të dalin në shitje të premten.
“Biletat do të shiten sërish nëpërmjet platformës online, kurse çmimet e biletave kanë pak rritje në krahasim me ndeshjet e kaluara, kjo në bazë të marrëveshjes së zyrës së marketingut të FFK-së me të gjitha zyrat e marketingut të federatave të regjionit, që është dakorduar edhe në UEFA. Në veri dhe jug biletat do të kushtojnë 5 euro. Në lindje dy pjesët anësore do të jenë nga 10 euro, derisa pjesët e tribunës qendrore 15 euro, në perëndim pjesa e poshtme 15 euro, derisa pjesa sipër përkrah tribunave VIP do të kushtojë 20 euro. Ndërkaq, biletat VIP do të jenë 80 euro”, ka thënë Ahmeti.
Kosova ndeshjen miqësore ndaj Danimarkës e zhvillon më 21 mars, kurse kualifikuesen ndaj Bullgarisë e zhvillon katër ditë më vonë.
/Epoka e re/