Të premten Gala e ICT Awards, kurorëzohen fituesit e edicionit të 8-të
Mbrëmja Gala në prezencë fizike do të zhvillohet në respektim të plotë të rregullave të vendosura nga “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” për t’u mbrojtur nga përhapja e pandemisë COVID-19.
Gara mbarëshqiptare në teknologji, Albanian ICT Awards do të përmbyllë edicionin e saj të 8-të ditën e Premte më 10 Korrik 2020 në ora 19:00 në Mbrëmjen Gala e cila do të organizohet me pjesëmarrjen e organizatorëve, jurisë dhe finalistëve.
Ndërsa të gjitha ata që duan të ndjejnë emocionet e ceremonisë së ndarjes së çmimeve sikur çdo vit tjetër do të kenë mundësi ta ndjekin virtualisht. Për tu regjistruar në listën e të ftuarve virtualë të Mbrëmje Gala ju ftojmë që të plotësoni formularin me të dhënat përkatëse në këtë lidhje.
Mbrëmja Gala e edicionit të 8-të të ICT Awards vjen pas një pritjeje të gjatë prej mëse 5 muajsh dhe organizohet duke respektuar çdo masë të ndërmarrë nga autoritetet në kuadër të parandalimit të përhapjes së Covid-19.
ICT Awards nisi edicionin 8-të me 7 Shkurt në Tiranë ku zbuloi për komunitetin e ICT kriteret, vlerësimet dhe shpërblimet e këtij viti dhe kategoritë e garës: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Startupi i Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Diploma e Vitit, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe ICT Siguri Kibernetike.
Po gjatë muajit Shkurt nisën takimet e para në disa qendra, shkolla, universitete e hapësira inovacioni në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni si: Tirana, Prishtina, Shkupi, Elbasani, Vlora, Korça, Lezha dhe Presheva.
Këto takime, një traditë e çdo edicioni të ICT Awards në kërkim të historive Shqiptare të suksesit në teknologji, vijuan gjatë 10 ditëshit të parë të muajit Mars për tu ndërprerë më pas në përputhje me të gjitha masat e marra nga qeveria Shqiptare për të parandaluar përhapjen e një pandemie me karakter global siç ishte Covid-19.
ICT Awards vendosi të shtyjë mbylljen e aplikimeve nga data 30 Mars deri më 4 Qershor. Një ditë më pas më 5 Qershor u mblodh në një takim virtual juria e ICT Awards përbërë nga: Altin Petre, Edlira Martiri, Ilir Çapuni, Visar Jasiqi, Shkelzen Marku, Julia Hoxha, Arjan Cukaj, Gjergji Guri, Ornela Bardhi, Anila Hyka, Azir Aliu, Muhedin Nushi dhe Edmond Hajrizi. Pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme, mëse 75 aplikime kishin mbërritur pranë ICT Awards.
Në këtë edicion të jashtëzakonshëm ICT Awards bëri thirrje edhe për projekte e zgjidhje inovative në ndihmë të shoqërisë në luftën përballë Covid-19.
Më 25 dhe 26 Qershor juria u takua po virtualisht me kandidatët e listës së ngushtë dhe pavarësisht rrethanave të krijuara për shkak të pandemisë, entuziasmi mbetej i lartë për garuesit.
Themeluar dhe vënë në shërbim të ekosistemit të inovacionit dhe startupeve në Shqipëri, misioni i konkursit më të madh në teknologji Albanian ICT Awards sot identifikohet me shkëndijat e shpresës që ndriçojnë sytë e çdo të riu, entuziasti, inovatori e profesionisti përkushtimi dhe dedikimi i të cilëve meriton jo vetëm njohje dhe afirmim por vëmendjen e një shoqërie shqiptare që ëndërron pa pushim.
Edicioni i tetë i ICT Awards gëzon mbështetjen e sponsorëve tradicionalë si Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisein dhe Albvision si dhe të shumë sponsorëve, partnerëve e mbështetësve si Ambasada Britanike, Albsoft, Facilization, Universiteti Metropolitan, Riinvest, UBT, AUK, Gjirafa dhe Soft&Solutions. Bashkia Tiranë, Komuna e Prishtinës dhe SEEU Tech Park janë partnerë të kësaj ngjarjeje unike.
Mbrëmja Gala në prezencë fizike do të zhvillohet në respektim të plotë të rregullave të vendosura nga “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” për t’u mbrojtur nga përhapja e pandemisë COVID-19.
Eventi do të zhvillohet në mjedis të hapur, me një pjesëmarrje minimale prej 40 personash, ku të ftuarit qëndrojnë të paktën 2 metra larg, mbajnë maska të fytyrës dhe nuk ndajnë objekte të përbashkëta me njëri-tjetrin. /PCWorld Albanian.