Të premten nxënësit e klasave të nënta i nënshtrohen testit të arritshmërisë
Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta të premten do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë, ku me pikët e arritura do të kenë mundësi të orientohen për në shkollat e mesme.
Testi do të ketë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe pyetje nga shkencat shoqërore e ato natyrore, ndërsa edhe këtë herë nuk do të ketë kriter kalimi por që pikët e mbledhura u shërbejnë nxënësve që të orientohen për në shkollimin e mesëm.
Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, ka thënë se gjithçka është gati për mbajtjen e këtij testimi, derisa ka theksuar se edhe masat për mbrojtje nga Covid-19 do të respektohen.
“Testi është me pyetje me alternativa. Janë 100 pyetje nga lëndët që mësohen në shkollën e mesme të ulët, nga klasa e gjashtë deri në nëntën. Testi i arritshmërisë nuk është test i bazuar në kriter, do të thotë nuk ka kriter kalimi. Nxënësit i marrin pikët që i fitojnë në test, ku për çdo lëndë i marrin pikët ashtu siç i kanë dhe nuk ka kriter kalimi. Testi është i përbërë prej nëntë lëndëve gjithsej, gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze një grup i lëndëve, histori dhe gjeografi, matematikë dhe informatikë si dhe shkenca natyrore. Do të thotë në këto katër grupe janë nga 25 pyetje secila”, ka thënë ai.
Testi i arritshmërisë do të mbahet në 155 qendra testimi në nivel vendi, ku për monitorimin e mbarëvajtjes së këtij testi do të jenë të angazhuar mbi 2 mijë administratorë.
Përjashtimi nga testimi është ndëshkimi për nxënësit që do të kapen duke përdorur telefonin brenda qendrës së testimit. Elezi thotë se do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që thyejnë rregullat e testit.
Testi i arritshmërisë ka qenë i paraparë të mbahet me 21 maj, por që shtyrja e mbarimit të vitit shkollor ka bërë që të shtyhet edhe mbajtja e këtij testi.