Të premten shpallet urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës
“Urdhri për Zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës do të shpallet në seancën e të premtes, 29 nëntor 2024, ora 11:00. Tetë viktima morën pjesë në proces, të gjithë nën masa mbrojtëse. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqipe, serbishte dhe anglishte nëpërmjet transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në ambientet e gjykatës. I lusim gazetarët që dëshirojnë të ndjekin seancën nga galeria për publikun, të njoftojnë DHSK-në nëse kanë nevojë për një vend edhe në qendrën për median të gjykatës. Ju lutemi kontaktoni zyrën për median në [email protected]. Më shumë informacion lidhur me seancën mund të gjeni në kalendarin e gjykatës.
Informimi javor i DHSK-së përmes internetit gjithashtu do të mbahet po atë ditë, 29 nëntor, ora 14:30.
Të gjithë gazetarët janë të mirëseardhur të marrin pjesë në informimin javor dhe të parashtrojnë pyetje lidhur me Urdhrin për Zhdëmtime ose lidhur me cilëndo çështje gjyqësore tjetër para gjykatës. Mediat që dëshirojnë të marrin pjesë në informimin javor përmes internetit duhet të na shkruajnë në [email protected] për të marrë lidhjen për takimin.
Historiku
Me 16 korrik 2024, Trupi Gjykues shpalli fajtor z. Shala për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim. Mbrojta e Shalës ka apeluar aktgjykimin dhe dënimin. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me krime lufte të kryera afërisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës (FMK), një fabrikë e dikurshme për përpunimin e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, FMK-ja shërbeu si shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe u përdor për një sërë qëllimesh, përfshirë për rekrutim, mobilizim dhe logjistikë. Disa anëtarë të UÇK-së e përdorën edhe për të mbajtur të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtuar persona për të cilët mendohej se bashkëpunonin, kishin lidhje ose ishin simpatizantë të autoriteteve serbe, ose të cilët konsideroheshin se nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së. Numri i gjithsejtë i të ndaluarve në FMK gjatë periudhës që lidhet me akuzat nuk dihet, por sipas vlerësimit të Trupit Gjykues duhet të ketë qenë rreth 40 persona, përfshirë tri të ndaluara femra. Trupi Gjykues arriti të identifikonte tetëmbëdhjetë (18) persona. Trupi Gjykues konstatoi se ata u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, në dhoma të vogla, pa ujë, ushqim dhe kujdes mjekësor të mjaftueshëm, nuk i lejuan të pastroheshin ose të ndërronin teshat. Të ndaluarve nuk u dhanë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe nuk patën mundësinë të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim. Të ndaluarit gjithashtu u morën në pyetje ashpërsisht, më së shpeshti gjatë natës, dhe u detyruan të jepnin deklarata ose të bënin deklarata pranuese. Ata u keqtrajtuan psikologjikisht dhe fizikisht dhe disa prej tyre i detyruan të bënin punë fizike. Si pasojë, të ndaluarit jetonin në frikë të vazhdueshme. Keqtrajtimi brutal u shkaktoi të ndaluarve lëndime afatgjata fizike dhe mendore. Disa prej të ndaluarve humbën aftësinë për të fituar jetesën ose për të mbajtur familje. Disa prej tyre u detyruan të ndërprisnin karrierën ose shkollimin, sepse konsideroheshin si familje spiunësh. Njëri prej të ndaluarve u qëllua me armë zjarri nga një anëtar i UÇK-së, pasi ishte keqtrajtuar rëndë nga një grup ushtarësh të UÇK-së. Ai vdiq si pasojë e lëndimeve nga armë zjarri dhe refuzimit të trajtimit mjekësor të duhur. Më maj/qershor 1999, z. Shala ishte anëtar i UÇK-së. Ai ishte i pranishëm fizikisht në FMK disa herë dhe së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së, mori pjesë në transferimin e njërit prej të ndaluarve në FMK, dhe marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin brutal të disa të ndaluarve. Ai mori pjesë gjithashtu në keqtrajtimin brutal të të ndaluarit i cili vdiq pasi u qëllua me armë zjarri. Ndonëse z. Shala nuk kishte rang ose pozitë zyrtare të përcaktuar në UÇK, ai megjithatë kishte njëfarë autonomie në FMK. Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues dëgjoi 22 dëshmitarë, 10 të thirrur nga Prokurori i Specializuar, 2 të thirrur nga Mbrojtësja e Viktimave , dhe 10 nga Mbrojtja. Gjykimi u zhvillua në kontekstin e atmosferës së vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës.