Të premten shqyrtohet Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur të mërkurën një mbledhje në mënyrë elektronike (virtuale), nën drejtimin e kryetares Vjosa Osmani.
Në këtë mbledhje, Kryesia ka shqyrtuar propozimin e deputetit të LDK-së, Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit hetimor parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës. Pas diskutimeve, Kryesia ka vendosur që formimi i këtij komisioni të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e të premtes, më 14 gusht 2020.
Sipas vendimit të seancës së datës 7 gusht, pikë e parë rendit të ditës së seancës së të premtes, do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, seanca do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin nr. 07/L-016 për rimëkëmbjen ekonomike Covid-19. Në vazhdim të mbledhjes, Kryesia është njoftuar me ecurinë e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të zhvilluar gjatë muajit qershor të këtij viti dhe për herë të parë të kryesuar nga Kosova.