Të premten vendoset e ardhmja e Fetahajt
Liridon Fetahaj të premten do të takohet me drejtuesit e Klubit të Prishtinës për të mësuar të ardhmen e tij.
Futbollisti Liridon Fetahaj ishte i huazuar te skuadra e Lirisë së Prizrenit në sezonin vjeshtor nga Prishtina, por ai ende nuk e di se cilën fanellë do të djersijë në sezonin pranveror. I kontaktuar nga gazeta “Epoka e re”, Fetahaj ka thënë se gjithçka rreth së ardhmes së tij do të sqarohet të premten. Ai ka mohuar ta tregojë dëshirën se për cilën skuadër do të paraqitet në pranverë.
“Ende nuk e di se ku do të luaj në pjesën tjetër të kampionatit, por të premten kam takim me drejtuesit e Prishtinës dhe aty vendoset një gjë e tillë. Momentalisht jam duke u përgatitur në mënyrë individuale që për pranverë të jam në formë të mirë fizike”, ka thënë Fetahaj, i cili para fillimit të kampionatit 2018/2019 u huazua nga Prishtina te ish-skuadra e tij, Liria, për shkak se nuk kishte hapësirën e mjaftueshme në skuadrën kryeqytetase, raporton “Epoka e re”.
Këtë huazim në skuadrën prizrenase sulmuesi anësor e shfrytëzoi për mrekulli për faktin se u shndërrua ndër lojtarët më të mirë në skuadrën e Lirisë. Kontrata e Fetahajt me skuadrën e Prishtinës është e vlefshme deri në qershor të vitit 2020. Fetahaj në skuadrën e lirisë ka pasur rastin që gjatë sezonit vjeshtor të punojë me trajnerin italian Vincenzo Alberto Annese. “Po, ka një metodë interesante të punës. Kërkon shumë përkushtim si në stërvitje, po ashtu edhe në lojë, pra është një përvojë e mirë për mua si futbollist që kam pasur rastin të punoj me këtë trajner”, ka shtuar Fetahaj. Skuadra e Lirisë e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e dhjetë me 19 pikë të grumbulluara derisa regjistroi gjashtë fitore, një barazim dhe dhjetë humbje në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara.
/Veton ZYMBERI/