Të premten zhvillohet derbi Prishtina – Besa
Sot (e enjte) zhvillohen dy ndeshje të javës së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve, ku takohen Prizreni – Trepça (19:00) dhe Zhegra – Vushtrria (20:00).
Me marrëveshje të skuadrave, ndeshja Zhegra – Vushtrria luhet në Vushtrri. Këto ndeshje i lënë vend derbit aktualisht më të madh në Superligë, ku të premten nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet takohen Prishtina dhe Besa Famgas. Pritet lojë e fortë e cilësore pasi të dyja skuadrat kanë në përbërje reprezentues të Kosovës, prandaj me të drejtë pritet hendboll i mirë. Besa është e para në tabelë me 10 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vend të dytë. Skuadra pejane ka goldallim më të mirë.
Të dyja skuadrat kanë fituar bindshëm ndeshjet e deritashme, por derbi shpresohet të jetë i barabartë. Të enjten në Ligën e Parë të meshkujve takohen Dukagjini – Samadrexha (17:30) dhe Lepenci – Ulpiana, ndërsa takimet Vjosa – Istogu dhe Drita – Deçani luhen më 18-19 nëntor.