Të protestosh për liri është natyra e njeriut të lirë

30 shtator 2018 | 19:14

Bujar Dugolli

-Në përkujtim të 21-vjetorit të Lëvizjes Studentore në Kosovë

Ndjenja për të dalë nga situata në të cilën ishim në atë kohë, po përhapej me shpejtësi ndër studentët e UP-së. Në këtë mënyrë, po rritej presioni që të fillohej të ndërmerrej diçka. Pra, zërat vinin nga poshtë, nga baza. Studentët, gjithnjë e më shumë ishin duke besuar se, politikanët dhe sidomos partitë, të cilat ishin organizma që e diktonin jetën në atë kohë, s’do të mund t’i kthejnë ata kurrë në objektet universitare, dhe as qe do të munde të ju siguroni një perspektiv të çatë….

Kishin kaluar shtatë vite prej kur regjimi serb, nxënësit dhe studentët shqiptarë i kishte dëbuar me dhunë nga objektet e tyre mësimore. Një pjesë të këtyre objekteve, e shfrytëzonin studentët serbë, kurse një pjesë tjetër përdorej për interesa administrative, të biznesit, të banimit etj. Pjesa tjetër e hapësirës shkollore dhe asaj universitare, mbetej e pashfrytëzuar, që domethënë mbetej të shkatërrohej gradualisht. E nxënësit dhe studentët shqiptarë, në vazhdimësi largoheshin nga vendi, kurse një pjesë tjetër, në kushte të vështira teknike-materiale, vazhdonte shkollimin.

Organizimi i shkollës shqipe në objekte private ishte një hap vendimtar. Ky hap, në fillim, pothuajse i paimagjinueshëm, tërhiqte dy konsekuenca historike: e para, parandaloi mundësinë e serbizimit të shkollës shqipe dhe gradualisht edhe shuarjen e arsimimit në gjuhën shqipe dhe e dyta, në aspektin politik ishte një hap i rezistencës së drejtpërdrejtë të popullit të Kosovës kundër masave shtypëse-asimiluese serbe. Mirëpo, me kalimin e kohës u shtua dhe filloi të përhapej me të madhe ideja e rikthimit në objektet legjitime shkollore. Kjo ide, buronte nga ne.

Nisa ta diskutoja idenë me shokët e mi, me të marrë detyrën e kryetarit të UPSUP-së në shkurtin e vitit 1997. Idenë e përhapem shumë shpejt dhe mori përmasat e një ideje nacionale. Njerëzit e kategorive të ndryshme dhe sidomos studentët e Universitetit të Prishtinës, filluan të mendojnë seriozisht për një hap të këtillë. Meqë isha në krye të Unionit Studentor ndihesha përditë më i obliguar që të mobilizoheshim dhe t’ia nisnim veprimeve konkrete për t’u kthyer në objektet tona legjitime, madje me çdo çmim. Pra, kërkohej një fillim dhe pastaj edhe një aktivitet i gjerë studentor.

Më shumë se kaq, duheshin mbledhur forcat qytetare dhe intelektuale, arsimore, ato politike, mediale në mënyrë që të kishte sa më shumë përkrahës në zbatimin, në vepër, të aktivitetit për të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Fotografia e Bujar Dugolli

Ishte e kuptueshme që nga marrëveshja Rugova-Millosheviq (marrëveshje kjo e nënshkruar gjoja për normalizimin e arsimit në Kosovë) s’kishte asgjë dhe përshtypja jonë ishte se ajo ishte bërë me qëllim që të thyhej apo mbytej fryma e rezistencës qytetare, e cila akumulohej prej kohësh. Viti i ri akademik 1997/98 do të vinte shpejt. Prandaj, gjatë fillimit të verës, pavarësisht që ishte koha e pushimeve, morën hapat konkretë për t’u organizuar. Për ne nuk kishte pushim.

Paraprakisht ne kishim përgatitur edhe detajet më të imëta për mbarëvajtjen e protestës së 1 tetorit. Rreth 5000 studentë dhe rreth 500 profesorë ishin të organizuar në forma të ndryshme dhe kishin nga një detyrë. Shenjat dalluese me stemën e UP-së, ishin dërguar në selitë e unioneve për t’i tërhequr mbi 27000 studentë. Ashtu siç e kishim paraparë me strategjinë tonë, që nga ora 9.00 e mëngjesit filluan të grumbulloheshin studentët dhe qytetarët në lagjen “Velania”. Rrugët e kësaj lagjeje, ishin të ngushta për t’i zënë të gjithë ata qytetarë, nga vise të ndryshme që po vinin në “Velani”. Nga minuta në minutë, masa vinte duke u rritur…

Sipas skenarit, kishim paraparë që fakultetet të radhiteshin një nga një: duke filluar nga më i vjetri, Fakulteti Filozofik, e me radhë. Në rreshtat e parë, duhej të radhiteshin këshillat organizative nga niveli qendror dhe kryesia e UPSUP dhe më pas fakultetet një nga një. Kolona e marshit protestues i kishte 5 veta: 4 studentë dhe një profesor. Kishim paraparë që sipas skenarit, në kolonë të bënim një marsh demonstrues nga lagja “Velania”, të zbresim në qendër të kryeqytetit dhe të shkonim në Qendrën Universitare për të hyrën në objektet tona dhe për t’i marrë ato. Në rast se do të pengoheshim nga forcat serbe, duke na u bllokuar rrugët, ne kishim paraparë të qëndronim të heshtur, ballë për ballë: pa komunikuar me ta, sepse i konsideronim pushtues dhe nuk do të flisnim me ta.

Në rast se do vërenim që policia do të intervenonte dhunshëm për të na shpërndarë, ne kishim planifikuar se duhej të uleshim në tokë dhe të mos ngriheshim nga aty, pavarësisht dhunës që do të bëhej mbi ne. Kolona e studentëve dhe e profesorëve, ishte paraparë që të ecte përmes rrugës, ndërsa trotuareve do të qëndronte popullata e cila, do të dilte në protesta për t’u solidarizuar me studentët. Kujdestarët për mbajtjen e rendit, por edhe komisionet për dhënien e ndihmës së parë, duhej të ishin aktiv në kryerjen e detyrave të marra…

Strategjia e protestave, filloi të zbatohej hap pas hapi. Paraditja në “Velani”, dukej e mrekullueshme. Organizimi ynë, po i mahniste të gjithë. Përfaqësues të shumtë diplomatikë, si dhe ata të mediave më të njohura ndërkombëtare (CNN, BBC, Euronews, Deutche Welle etj.), iu kishin përgjigjur ftesës sonë për të qenë prezentë, më 1 tetor: në ditën e protestës. Të gjithë ishim me disponim të mirë: studentë e profesorë.

Pjesëmarrja ishte e paimagjinueshme: masovike. E kjo na bënte jashtëzakonisht të fortë.
E tërë “Velania” ishte mbushur me mijëra studentë e profesorë, por edhe nxënës e qytetarë. Ashtu siç ishte paraparë, ne e filluam marshin e demonstrimit paqësor . Megjithatë, forcat policore serbe e kishin rrethuar “Velaninë”, e kjo na bënte të kuptojmë që s’do të lejoheshim me asnjë çmim të zbrisnim në qytet, ku na priste sipas informacioneve tona, një popull i tërë. Një lumë i tërë njerëzish, ndoshta rreth 300 mijë veta, ishin rrugëve të Prishtinës atë ditë. [B.D. 2013]

http://www.bujardugolli.net/?cid=1,12

1 Tetor 1997 Lëvizja filloj e Kosova jonë ndryshoj…
Respekt e lavdi e përjetshme për të gjithë veprimtaret dhe dëshmorët qe ranë për Liri!
B.D.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë, Oiver Derkovski, gjatë…