Të rinjtë deri 19 vjeç, më të prekurit nga Covidi në 24 orët e fundit
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës grupmosha më e prekur nga infektimi me COVID-19 në 24 orët e fundit është 10 deri 19 vjeç.
Sipas këtij institucioni, 899 raste pozitive i takojnë kësaj grupmoshe. Por numër i lartë i personave të infektuar është raportuar edhe te grupmosha më e re, 0 deri në 9 vjeç, gjithsej 181 raste.
Këto dy grupmosha përbëjnë 1,080 nga gjithsej 2,708 rastet pozitive të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë më 20 janar 2022. Një grupmoshë tjetër e prekur më shumë nga infeksioni është 30 deri 39 vjeç me gjithsej 406 raste, pasuar nga grupmosha tjetër 40 deri 49 vjeç me gjithsej 403 raste pozitive.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten më 20 janar 2022, se nga 10,883 testime, 2,708 qytetarë kanë rezultuar pozitivë.
MSH-ja njoftoi për një rast të vdekjes. Aktualisht, në Kosovë me COVID-19 janë 9,771 raste.
Gjatë ditëve të kaluara, po ashtu, ka qenë i lartë numri i shifrave të të rinjve që janë raportuar pozitivë me COVID-19.
Në QKUK kanë thënë se ka pasur edhe raste të hospitalizimit të fëmijëve të prekur nga koronavirusi. Simptomat që manifestojnë fëmijët e prekur me koronavirus, sipas mjekëve, janë të lehta: temperaturë, kollë dhe rrjedhje hundësh. Trajtimi i tyre kryesisht bëhet me ilaçe për ulje të temperaturës, shurupe për kollitje, lëngje, pemë, perime dhe vitamina./rel/