Të rinjtë nga Anamorava do të trajnohen për tregun e punës
Qendra Rinore Gjilan (QRGJ) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kamenicë ka filluar implementimin e projektit “Fuqizimi i kompetencave të të rinjve në përgatitjen për tregun e punës”.
Komuna e Kamenicës ka bërë me dije se ky projekt ka për qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive të buta të studentëve në nivelin universitar (18 – 24 vjeç) në rajonin e Anamoravës, më specifikisht në Komunën e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë, si dhe përgatitjen e tyre që të mund të operojnë në tregun e punës në mënyrë të suksesshme dhe efektive.
“Në kuadër të këtij projekti do të realizohet trajnimi katër ditor me temën ‘Shkathtësitë e buta, çelës i përgatitjes për tregun e punës’, prej datës 13 – 16 shkurt 2020. Ky trajnim do të përmbajë katër module: komunikimi, aktivizmi qytetarë, shkathtësi punësimi, dhe puna në grupe. Pas përfundimit të këtij trajnimi, pjesëmarrësit certifikohen për pjesëmarrjen e suksesshme në trajnim”, ka njoftuar Komuna e Kamenicës.