A do të shfaqim emancipim institucional dhe kulturor për realizimin e kompleksit qeveritar, muzeut dhe obeliskut?
Me realizimin e këtyre tri projekteve, institucionet e Kosovës e kanë mundësinë ideale që të shfaqin zotimin që këto projekte publike do të shprehin frymën demokratike të vendit tonë dhe do të jenë dëshmi vizuale e dinjitetit, krenarisë, energjisë, ndërmarrësisë, transparencës dhe stabilitetit të shoqërisë dhe të institucioneve të Kosovës. Kjo është realisht fryma me të cilën, aleati ynë strategjik, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i qaset Arkitekturës Publike, apo siç e quajnë ata Arkitekturës Federale. Në asnjë rast, vendimmarrësit kosovarë nuk duhet t’ia lejojnë vetes luksin që të të lëshohen në aventura të kopjimit primitiv të projekteve megalomane dhe arrogante presidenciale apo qeveritare, të ndërtuara në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik
Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt
Arkitektura është akt politik. Ndërtesat përfaqësojnë qëndrime politike. Arkitektura është gjithherë e ndërlidhur me fuqinë dhe me interesat e mëdha, qofshin ato financiare apo politike. Arkitektura përdoret nga udhëheqësit politikë për të joshur, për të bërë përshtypje dhe për të frikësuar.
Janë këto vetëm disa nga cilësimet që arkitektë dhe kritikë të nivelit botërorë i japin për Arkitekturën dhe raportin e saj me politikën.
Këto ditë në një nga takimet e Qeverisë së Kosovës, në prag të shënimit të dhjetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, mes tjerash u riafirmua ideja e ndërtimit të një kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, siç u tha “si domosdoshmëri e kohës dhe e prezantimit real të zhvillimit të Kosovës”. Në të njëjtën kohë, u prezantua edhe ideja e ndërtimit të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të lirisë.
Duke vlerësuar rëndësinë e realizimit të këtyre projekteve, dua të shpreh bindjen time se në të vërtetë ato duhet të prezantojnë zhvillimin e aspiruar të shoqërisë dhe të shtetit tonë, dhe jo zhvillimin real, që mbizotëron aktualisht tek ne. Dhe, për të arritur këtë synim, Arkitektura është instrumenti dhe mundësia më e mirë.
Pse e them Arkitektura? Sepse, Arkitektura është akt i optimizmit, Arkitektura ka të bëjë me shpresën, me ndryshimin! Kjo është thënë dhe është konfirmuar gjithmonë, decenie me radhë.
Në vendin tonë deri më tani projektet e ndërtesave apo komplekseve publike kryesisht janë trajtuar nga këndvështrimi rigjid teknik. Në shoqërinë kosovare edhe sot mbizotëron atmosfera ligjore, kulturore, ekonomike, ku ndërtimi nënkuptohet si proces tërësisht praktik dhe teknik. Fatkeqësisht, shoqëria dhe institucionet e Kosovës nuk e shohin ende ndërtimin si proces të krijimit të vlerave arkitektonike. Ky është një realitet që duhet ndryshuar, pikërisht përmes Arkitekturës.
Të shprehim frymën demokratike të vendit tonë përmes arkitekturës bashkëkohore
Me realizimin e këtyre Kompleksit shtetëror, të Muzeut dhe të Obeliskut, institucionet e Kosovës e kanë mundësinë ideale që të shfaqin zotimin që këto projekte publike do të shprehin frymën demokratike të vendit tonë dhe do të jenë dëshmi vizuale e dinjitetit, krenarisë, energjisë, ndërmarrësisë, transparencës dhe stabilitetit të shoqërisë dhe të institucioneve të Kosovës. Kjo është realisht fryma me të cilën aleati ynë strategjik, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i qaset Arkitekturës Publike, apo siç e quajnë ata Arkitekturës Federale.
Duke mishëruar këtë qasje demokratike, të shprehur përmes shpalljes së konkurseve ndërkombëtare të arkitekturës për këto projekte, Qeveria e Kosovës duhet t’i kushtojë rëndësi parësore që objektivat dhe parimet udhëheqëse të këtyre konkurseve të arkitekturës të mishërojnë frymën bashkëkohore arkitektonike të Kosovës.
Në mënyrë të veçantë, për kompeksin rezidencial të institucioneve të Kosovës me seriozitetin më të lartë duhet të përgatitet një konkurs ndërkombëtar i Arkitekturës, me detyrë projektuese të studiuar mirë, e cila shfaq objektiva të qarta të arkitekturës bashkëkohore. Natyrisht, edhe kriteret e vlerësimit duhet të përcaktohen bazuar në objektivat dhe përmbajtjen e detyrës projektuese dhe të peshohen në mënyrë meritore dhe transparente. Po ashtu, këshilltarët profesional që do të koordinonin tërë procesin dhe pastaj edhe juria që do ta bëjë vlerësimin e projekteve duhet të jenë emra kredibil dhe të mirënjohur botëror të arkitekturës së objekteve publike qeveritare. Dhe, emrat e tyre duhet të shfaqen në mënyrë transparente në publik, në mënyrë që kjo të ndikojë në krediblitetin e konkursit ndërkombëtar që do të shpallej dhe në të njëjtën kohë në inkurajimin e pjesëmarrjes së arkitektëve nga mbarë globi. Kjo do t’i jepte vlerë konkursit dhe do ta bënte Kosovën një prej qendrave të promovimit të vlerave të arkitekturës bashkëkohore në botë.
Detyra projektuese për kompleksin qeveritar në Prishtinën e Re duhet të japë përgjigje në dilemat se: Çfarë karakteri duhet të shfaqë projekti? Çka duhet të thotë ai për komunitetin? Çfarë funksione të mëdha organizative dhe funksionale duhet të përmbushë? Çka pritet nga struktura e objektit gjatë jetëgjatësisë? Si do t’i shërbejë institucioneve, shfrytëzuesve dhe komunitetit? Cilat janë veprimet aktive dhe pasive për mbrojtje nga zjarri, që duhet të ndërmerren? Çfarë lloj zgjerimi duhet të akomodohet, nëse ka nevojë në të ardhmen? A ekziston ndonjë sfidë e veçantë projektuese së cilës objekti duhet t’i përgjigjet? Çfarë kërkesa janë bërë në lidhje me shfrytëzimin e energjisë, qarkullimin, marrëdhëniet publike-private, etj.? Me një fjalë, për çka shërben objekti? Si do t’i formësojë jetërat e njerëzve që do të jetojnë apo punojnë në të?
Në literaturën bashkëkohore, autorë të ndryshëm evropianë, për objekte publike qeveritare specifikojnë edhe disa faktorë tjerë të veçantë dhe esencialë, që duhet të respektohen gjatë projektimit të këtyre objekteve, që përfshijnë trajtimin e këtyre çështjeve të rëndësishme:
Si e shfrytëzon qeveria arkitekturën për të prezantuar vetveten?; Si i shfrytëzon ajo objektet për të prezantuar shërbimet e saj para qytetarëve?; A duhet ky prezantim arkitektonik të jetë dominues, neutral ose i vetëdruajtur, kokëlartë, i rezervuar, perceptues ose miqësor, i inspiruar në vetëbesim ose i përkohshëm, kalimtar apo jetëshkurtër?; Çfarë domethënie dhe çfarë metafora do të lejohen që objekti të shpreh këto karakteristika të ndryshme?; Si do të ndërlidhet objekti me hapësirën publike?; A do të kontribuojë në determinimin, aranzhimin dhe karakterin e hapësirës publike?; A shpreh objekti publik një këndvështrim të caktuar të kulturës apo të shoqërisë?; A krijon objekti një prezantim se si shoqëria funksionon ose se si duhet të funksionojë?; A ka objekti kualitet të mjaftueshëm poetik ose a është mjaftueshëm inovativ për të shërbyer si një shembull i mirë?
Kompleksi qeveritar në Prishtinën e Re të krijojë identitet origjinal dhe të vërtetë bashkëkohor të kulturës sonë
Nëse Qeveria e Kosovës synon që të realizojë një kompleks të mirëfilltë bashkëkohor qeveritar, i cili do të prezantonte frymën bashkëkohore dhe emancipuese që aspiron vendi ynë, atëherë konkursi ndërkombëtar i arkitekturës për këtë kompleks qeveritar duhet t’i trajtojë dhe në të njëjtën kohë të stimulojë krijuesit arkitektë nga e mbarë bota që të trajtojnë çështjet e lartpërmendura në mënyrë profesionale, me zgjidhjet e tyre kreative.
Arkitektura ka të bëjë me përmirësimin e kushteve: mjedisore, sociale dhe nganjëherë edhe atyre politike, thotë Arjen Oosterman.
Përderisa, kritiku Paul Golderberger potencon faktin se Arkitektura është përfaqësimi themelor fizik i një kulture, më shumë sesa madje edhe flamuri i saj. Shtëpia e Bardhë, Kapitoll Hilli, Piramidat, Kulla e Ajfelit, Porta e Brandenburgut, Shtëpia e Operës në Sidnej, Empire State Building, Golden Gate Bridge janë vetëm disa shembuj kuptimplotë që dëshmojnë rëndësinë e përfaqësimit të kulturës dhe identitetit të një shoqërie përmes Arkitekturës.
Kompleksi qeveritar në Prishtinën e Re duhet të krijojë identitet origjinal dhe të vërtetë bashkëkohor të kulturës sonë dhe aspiratave tona emancipuese perëndimore.
Në asnjë rast, vendimmarrësit kosovarë nuk duhet t’ia lejojnë vetes luksin që të joshen apo t’iu imponohet përzgjedhja e projektit në frymën e projektit maqedonas të ndërtesave dhe hapësirave publike “Shkupi 2014”, një projekt tashmë i komprometuar arkitektonikisht dhe kulturalisht në arenën ndërkombëtare. Apo, të lëshohen në aventura të tjera të kopjimit primitiv të projekteve megalomane dhe arrogante presidenciale apo qeveritare, të ndërtuara në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Dhe, në fund, por jo më pak e rëndësishme: Kompleksi rezidencial i institucioneve të Kosovës dhe dy projektet tjera të proklamuara, Muzeu dhe Oblelisku nuk duhet trajtuara me praktikën e tenderëve të shërbimeve të projektimit, ku kriter kryesor është çmimi më i lirë i ofertuesve, ashtu siç trajtohet edhe furnizimi me tonerë i një institucioni. Për Kompleksin Qeveritar, Ministria e Administratës Publike duhet të shpallë konkurs ndërkombëtar të arkitekturës të përgatitur me seriozitetin më të lartë, praktikë të cilën duhet ta zbatojë edhe Ministria e Kulturës për projektet e Muzeut të Pavarësisë dhe të Obeliskut të Lirisë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmojmë emancipimin tonë institucional, kulturor dhe shoqëror për realizimin me sukses të këtyre projekteve madhore publike! Mbi të gjitha Arkitektura është emancipim! A do të kemi dije dhe guxim që ta arrijmë këtë, mbetet të shihet!