Të shfuqizohen masat pastaj shkojmë në zgjedhje

21 prill 2020 | 09:29

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku Mulhaxha, ka thënë që në situatën në të cilën ndodhemi, secili prej nesh duhet ta ketë prioritet luftimin e pandemisë.

“Meqë jemi në mesin e një pandemie globale, për mua prioritet është shëndeti publik dhe çdo gjë këto ditë, i gjithë angazhimi im, është i përqendruar për luftimin e pandemisë”.

“Duhet t’i sensibilizojmë qytetarët më shumë për situatën që ndodhemi. Sot nuk mendoj se janë kushtet për të zhvilluar dialog me Serbinë. Çdo qeveri e përgjegjshme dhe çdo njeri që e ushtron një post të rëndësishëm, e ka prioritet shëndetin. Nëse nuk jemi të përgjegjshëm situata mund të jetë më serioze”, ka thënë ajo.

Kollçaku në një intervistë në Klan Kosova ka thënë që kriza institucionale që është krijuar në mënyrë të padrejtë ia ka lidhur duart qeverisë në detyrë. “U votua mocioni në kohën e pandemisë. Kushdo që e pengon sot punën e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk mendoj se ia do të mirën këtij vendi”, ka deklaruar Kollçaku. Sipas saj, nuk është nevoja që të ngutemi dhe zgjedhjet duhet të mbahen pasi të shfuqizohen masat emergjente.

“Krerët e partive politike sot në mënyrë të paturpshme mundohen që pa votë të qytetarëve ta marrin pushtetin. Kundërshtarët më të mëdhenj të taksës sot flasin për koalicion. Isa Mustafa tash flet për krijimin e qeverisë në kohën e pandemisë, në kohën kur qytetarët janë të mbyllur në shtëpi.

Sot vetëm ai që i ka fituar zgjedhjet ka kredibilitet ta vazhdojë këtë mandat”, ka thënë Kollçaku dhe ka shtuar se kjo qeveri është duke dhënë prova çdo ditë që po menaxhon suksesshëm situatën e krijuar nga koronavirusi. “Të shfuqizohen masat emergjente dhe pastaj mund të shkojmë në proces të rregullt zgjedhor. LV-ja në këtë kohë është ushtare në shërbim të MSh-së dhe ndihmës për kalim të situatës”, ka thënë Kollçaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 80 përqind e britanikëve dëshirojnë që Boris…