Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, plagosen dy persona
12 qershor 2018
| 18:59
Dy persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në afërsi të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë, përkatësisht në rrugën “Ibrahim Lutfiu”.
Lajmin për “Radion Evropa e Lirë” e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.
Ahmeti ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, duke shtuar se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Personat e plagosur janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë njësitet policore janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.
Ende nuk dihen arsyet e të shtënave, ndërkaq Policia tashmë ka nisur hetimet për këtë ngjarje.