Të shtëna armësh në Kaçanik
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë informacion që disa të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në fshatin Strazhë të Kaçanikut.
Në njoftimin e policisë bëhet me dije se gjatë legjitimimit të personave dhe kontrollimit të automjetit, te dy persona janë gjetur tri armë zjarri, me ç’rast dy të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor.
Sipas policisë, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt hetimore.
“Policia e stacionit në Kaçanik ka pranuar një informacion se në fshatin Strazhë të Kaçanikut janë dëgjuar të shtëna të armës së zjarrit. Ekipe të policisë menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Strazhë dhe aty kanë ndaluar një xhip Opel Frontera me targa vendore, ku ishin katër persona. Gjatë legjitimimit të personave dhe kontrollimit të automjetit, tek dy persona janë gjetur tri armë zjarri: dy pistoleta dhe një pushkë gjuetie dhe sasi e municionit.
Dy të dyshuarit V.K dhe B.T meshkuj, kosovarë, të moshës 37, janë shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik për intervistim, me dyshimin se kanë përdorur armë të zjarrit, ndërsa janë konfiskuar edhe armët. Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Përdorim i armës”’ , thuhet në njoftim.