Të shtëna armësh te Liqeni i Ujmanit
Qytetarët serbë në veri të Kosovës gjatë ditës së shtunë kanë bllokuar rrugët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar lëvizjen e lirë.
Krejt ky bllokim i rrugëve ka ardhur si pasojë e arrestimit që ka ndodhur sot në Jarinje të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Demokracia.com nga burimet e saj brenda institucioneve të sigurisë ka mësuar se sot gjatë mbrëmjes ka të shtëna me armë në Liqenin e Ujmanit.
Ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar apo dëme materiale.
Demokracia.com është duke bërë përpjekje që të informohet nga Policia e Kosovës lidhur me këtë incident.
Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike ka bërë të ditur sot se zgjedhjet në katër komuna serbe duke përfshirë, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potoku, do të mbahen me 23 prill të vitit 2023, jo siç ishte paraparë për 18 dhjetor të këtij viti.
Osmani ka njoftuar se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.
Edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se serbët kanë filluar vendosjen e barrikadave me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit Dejan Pantiq drejt organeve të drejtësisë.
“Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, persona/grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndërsa, gjatë mbrëmjes së enjte, një polic i Kosovës është plagosur gjatë një sulmi në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit.
Polici i plagosur Ekrem Neziri, ishte trajtuar fillimit në Spitalin e Përgjithshëm “Dr Sami Haxhibeqiri”, në Mitrovicë dhe dje rreth orës 08:00 të mëngjesit ishte sjell në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
Ai gjatë ditës së premte ishte operuar në Klinikën Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).