Të shtëna me armë zjarri në disa lokacione në veri
Policia e Kosovës ka thënë se “grupet kriminale” që kanë bllokuar disa rrugë në veri të Kosovës, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri kundër njësiteve policore në rrugën që të çon në pikën kufitare Bërnjak, e cila lidh Kosovën me Serbinë.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se zyrtarët policorë u janë përgjigjur këtyre sulmeve, po ashtu, me armë zjarri dhe sulmuesit më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Policia ka thënë se për të shtëna me armë zjarri është dëgjuar në disa pjesë të veriut, por nuk ka informacione për të plagosur.
Pak orë pas shtyrjes së zgjedhjeve, serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka mbyllur pikërkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
Për bllokadë në rrugët në veri është raportuar pas njoftimit të autoriteteve të Kosovës për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të, siç është thënë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shtyrë zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor në veri të Kosovës, për në prill të vitit të ardhshëm. Vendet e QUINT-it e kanë mirëpritur këtë vendim.