Të shtëna me armë zjarri në drejtim të një veture në Klinë
Mëngjesin e djeshëm, për motive akoma të panjohura, një person dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të një veture në fshatin Rixhevë të Klinës. Viktima i cili ishte në lëvizje me veturë e ka denoncuar rastin në Polici dhe si rezultat tashmë kanë nisur hetimet, raporton Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 47-vjeçar, i cili raportoi se dikush e ka gjuajtur me armë, por fatmirësisht askush nuk ka pësuar lëndime nga ky incident.
Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve policorë, viktima ka deklaruar se nuk ka probleme me ndonjë person, prandaj s’ka dyshime se kush mund ta ketë sulmuar dhe cili është motivi.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, ku kanë gjetur e konfiskuar një gëzhojë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme hetimore për identifikimin dhe kapjen e personit apo personave të dyshuar.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Pejë.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se deri sa ishte duke lëvizur me veturën e tij është gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tij, ku i janë dëmtuar xhamat e veturës së tij. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë Me vendim të prokurorit është cilësuar rasti.”