Të shtëna me armë zjarri në Kamenicë, lëndohet një dasmor
Një dasmor ka pësuar lëndime trupore si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një aheng mbrëmë në Kamenicë.
Me këtë rast ai ka pranuar tretman mjekësor, dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes janë konfiskuar 14 gëzhoja dhe dy armë zjarri.
”Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar katërmbëdhjetë (14) gëzhoja të armës si dhe dy(2) armë zjarri të kalibrit 9mm, të cilat do të përdorën provë materiale për gjykatën. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari i këtij rasti mashkull kosovar i vitit të lindjes 1971 është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në njoftim.
Përdorimi i armëve të zjarrit në ahengjet familjare është mjaft i shpeshtë.
Andaj, në shumë raste përdorimi i tyre ka qenë goxha i rrezikshëm.
Policia e Kosovës ka një porosi: “Ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë, andaj Festoni me zemër, jo me armë’’.