Të shtohen masat ndaj Serbisë

18 janar 2019 | 14:07

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, kategorikisht është shprehur kundër heqjes së taksës prej 100 përqindësh për mallrat serbe.

Pavarësisht prej presionit amerikan, ai ka thënë se taksa nuk duhet të hiqet.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ahmeti ka thënë se duhet të shtohen sanksionet ndaj Serbisë.

“Taksa i është vendosur Serbisë si kundërvënie të politikës së saj destruktive ndaj Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, kjo taksë nuk ka të bëjë me të tjerët përveç me Serbinë e cila nuk po e ndryshon politikën karshi Kosovës. Prandaj, taksa mbetet në fuqi, madje duhet të shtohen edhe sanksionet e tjera ndaj Serbisë”, ka thënë Isufi.

Ai ka vlerësuar se kjo taksë nuk mund t’i rrezikojë raportet ShBA – Kosovë.

“Raportet e Kosovës me ShBA-në janë historike dhe tradicionale. Këto raporte nuk rrezikohen sepse ne gjithmonë kemi treguar gatishmërinë që me ShBA-në të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Shqiptarët dhe Kosova me të drejtë konsiderohen miqtë më të mëdhenj të amerikanëve”, është shprehur ai.

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së është shprehur i bindur se për shkak të kësaj takse nuk bie Qeveria.

Sipas Isufit, Qeverinë aktuale vetëm e forcojnë veprimet që e fuqizojnë subjektivitetin e Republikës së Kosovës.

“Nuk bie Qeveria për shkak të taksës, përkundrazi Qeveria forcohet duke e forcuar subjektivitetin e Kosovës. Normalisht se një Qeveri çfarë është kjo tani e cila po merr vendime të mëdha për vendin, meriton ta kryejë mandatin, madje ta garantojë edhe mandatin e ardhshëm qeverisës”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo Qeveri do ta çojë mandatin deri në fund.

Isufi ka folur edhe për pretendimet e LDK-së se ka pasur një ofertë nga PDK-ja për ta rrëzuar Qeverinë. Sipas tij, qëndrimet e LDK-së janë konfuze dhe nuk u beson askush.

“Zyrtarët e LDK-së çdo ditë po i ndërrojnë deklaratat dhe nuk po mund t’u biem në fije se cila është e vërteta që thonë. Ata kanë deklarata shumë konfuze. E kanë bërë konfuz edhe opinionin”, ka thënë Isufi.

“Epoka e re”: Z. Isufi, së fundi është shtuar presioni amerikan ndaj Qeverisë për heqjen e taksës për mallrat serbe. Cili është qëndrimi i AAK-së për këtë çështje?
Isufi: Taksa i është vendosur Serbisë si kundërvënie të politikës së saj destruktive ndaj Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, kjo taksë nuk ka të bëjë me të tjerët, përveç me Serbinë e cila nuk po e ndryshon politikën karshi Kosovës. Prandaj, taksa mbetet në fuqi, madje duhet të shtohen edhe sanksione të tjera ndaj Serbisë, duke e ditur se Kosova ka nevojë të funksionojë si shtet normal.

“Epoka e re”: Çfarë nëse me mosheqjen e taksës rrezikohen raportet e Kosovës me ShBA-në?
Isufi: Raportet e Kosovës me ShBA-në janë historike dhe tradicionale. Këto raporte nuk rrezikohen, sepse ne gjithmonë kemi treguar gatishmërinë që me ShBA-në të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Shqiptarët dhe Kosova me të drejtë konsiderohen si miku më i madh i amerikanëve. Kjo nuk ka të bëjë me politikën ditore, por me një politikë të vazhdueshme.

“Epoka e re”: Pas kërkesave të fundit të ShBA-së për këtë çështje, zyrtarët e PDK-së janë treguar më fleksibilë, duke thënë se, nëse taksa rrezikon raportet me ShBA-në, ajo duhet të shqyrtohet. A duhet ta shqyrtojë Qeveria e Kosovës edhe një herë këtë vendim?
Isufi: Çdo çështje e cila ngrihet duhet të shqyrtohet me partnerët qeverisës. Por, sa i përket taksës, koalicioni qeverisës ka të njëjtin qëndrim. Taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe nuk hiqet. Pra, koalicioni ka një qëndrim për këtë çështje dhe duhet të vazhdojë në këtë mënyrë.

“Epoka e re”: Do të thotë, pavarësisht prej kërkesave që ka ShBA-ja, mendoni se Kosova nuk duhet ta tërheqë taksën?
Isufi: Ne normalisht se kemi në konsideratë çdo këshillë të miqve tanë, në veçanti të ShBA-së, por ne jemi edhe për mbrojtjen e interesave të përbashkëta kur ato kanë të bëjnë me interesat kombëtare dhe mbrojtjen e tyre.

“Epoka e re”: Ka pasur paralajmërime të ndryshme se për shkak të kësaj takse edhe mund të bjerë Qeveria. Besoni se mund të ndodhë një gjë e tillë?
Isufi: Nuk bie Qeveria për shkak të taksës, përkundrazi Qeveria forcohet duke e forcuar subjektivitetin e Kosovës. Normalisht se një Qeveri çfarë është kjo tani e cila po merr vendime të mëdha për vendin, meriton ta kryejë mandatin, madje ta garantojë edhe mandatin e ardhshëm qeverisës.

“Epoka e re”: Së fundi kemi pasur disa pretendime të LDK-së se, gjoja, PDK-ja i është ofruar opozitës për ta rrëzuar Qeverinë. U besoni këtyre pretendimeve?
Isufi: Zyrtarët e LDK-së çdo ditë po i ndërrojnë deklaratat dhe nuk po mund t’u biem në fije se cila është e vërteta që thonë. Prandaj, ata kanë deklarata shumë konfuze. E kanë bërë konfuz edhe opinionin. Deklaratat e tyre janë të paqëndrueshme.

“Epoka e re”: Megjithatë, zyrtarët e PDK-së kanë bërë me dije se nuk do të ketë zgjedhje dhe kjo Qeveri do ta vazhdojë mandatin deri në fund. Keni besim në këtë qëndrim të partnerit të koalicionit?
Isufi: Kjo Qeveri meriton ta kryejë mandatin deri në fund për shkak të proceseve që ka Kosova. Po ashtu, mendojmë se me punën e mirë në këtë mandat kjo Qeveri do të garantojë edhe mandate të tjera.

“Epoka e re”: Kryesia e Kuvendit të premten do të mblidhet për ta caktuar seancën e parë të sesionit pranveror. Çfarë duhet të ketë prioritet Kuvendi në këtë sesion?
Isufi: Kuvendi i Kosovës në këtë sesion do t’i ketë prioritet projektligjet të cilat janë të domosdoshme të miratohen dhe të amendamentohen në Kuvend për t’i forcuar të gjitha sferat në Kosovë. Po ashtu, edhe projektligjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian duhet të kenë përparësi.

“Epoka e re”: Monitoruesit e Kuvendit kanë vlerësuar se në sesionin vjeshtor ky institucion nuk ka punuar sa duhet. Pritini që këtë sesion Kuvendi të jetë më dinamik?
Isufi: Besoj se në këtë sesion Kuvendi i Kosovës do të jetë më dinamik edhe për shkak të proceseve që na presin. Normalisht se presim të shtohet intensiteti i punës për t’i kryer punët që na takojnë.

Muhamet KOCI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Sociale për të Moshuar në Prishtinë është e mbushur…