Të shtunën e ardhshme protestohet kundër rritjes së çmimit të sigurimeve për automjete
Të shtunën e ardhshme para objektit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), do të protestohet, për shkak të vendimit të marrë nga BQK-ja për rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve.
Protesta do të mbahet në rrugën “Luan Haradinaj” e “Garibaldi”, pranë BQK-së.
Grupi “Speedomaniaks”, përmes një postimi në “Facebook”, bëri apel për të gjithë, përfshirë grupacione e biznese, që sa më masivisht të dalin të shtunën me datë 23 nëntor në orën 16:00 para objektit të BQK-së.
“Protesta është organizuar nga grupi Speedomaniaks, dhe janë të ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës. Në Francë derivatet janë rritur për 2 cent më shumë, të gjithë qytetarët janë organizuar që ta heqin atë vendim, kurse në shtetin tonë çmimet e sigurimeve janë rritur edhe me qindra euro”, thuhet në postimin e tyre.
Një pjesëtar i “Spedoomaniaks” i ka thënë portalit Koha.net se kanë marrë leje edhe nga Policia e Kosovës edhe nga Komuna e Prishtinës. Portali, po pret një përgjigje edhe nga PK-ja, nëse do të ketë të pranishme njësi policore.
“Neve na takon të mos rrijmë duarkryq, përballë kësaj padrejtësie. Merre veturën e hajde”, thuhet ndër tjerash në postimin e këtij grupi.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%, ka nisur të zbatohet nga dje.