Sot gjysmëfinalet e Kupës
Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të jetë arenë e hendbollit këtë fundjavë.
Kështu të shtunën (sot) zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll, në të dy konkurrencat.
Fillimisht prej orës 13:00 luhet ndeshja e parë gjysmëfinale e hendbollistëve në mes të Trepçës e Prishtinës. Trepça ka mbyllur garimin në vendin e parë në Superligën B dhe do të mundohet të befasojë Prishtinën që është favorite e madhe në gjysmëfinalen e parë. Prishtina është e treta në Superligën A dhe prej kësaj pozite do të nis edhe plejofin.
Më pas luhen dy gjysmëfinalet te hendbollistet. Fillimisht prej orës 15:00 takohen Istogu e Shqiponja. Istogu është fitues në fuqi i Kupës, ndërsa Shqiponja është kampion aktual. Stinorin e rregullt Istogu e ka përfunduar në vend të parë e Shqiponja në vend të katërt. Pritet lojë e fortë, njëjtë si në gjysmëfinalen e dytë në mes të Vushtrrisë e Prishtinës. Kjo ndeshje fillon në ora 17:00. Vushtrria në Superligën e femrave ka përfunduar e dyta në stinor të rregullt, ndërsa Prishtina e treta. Pra te hendbollistet në gjysmëfinale janë katër skuadrat e para në tabelë.
Megjithatë ndeshja më e fortë dhe cilësore pritet të jetë ajo që do të luhet e fundit. Prej orës 19:00 luhet gjysmëfinalja e dytë te meshkujt mes Kastriotit dhe Besa Famgas.
Besa e Pejës ka fituarKupën në pesë vitet e kaluara dhe stinorin e rregullt në Superligë do ta përfundojë në vend të parë. Por Besa ka patur rivalitet të madh nga Kastrioti këtë edicion dhe ndeshje e fortë pritet të jetë edhe në këtë gjysmëfinale të Kupës. Kastrioti është i dyti në tabelë në Superligën A me 47 pikë.
Ndeshjet finale luhen të dielen. Finalja e hendbollisteve është nga ora 16:30, ndërsa ajo e hendbollistëve nga ora 19:15.