Të sigurojmë bukë nga arat tona
Imer Rusinovci
Prodhimtaria e grurit ka karakter strategjik, dukuri kjo që lidhet me nevojat për produktet e grurit, e që në kushtet tona ketë e lejojnë dhe e favorizojnë burimet natyrore.
Lidhur me këtë problematika është që të gjenden rrugët dhe mundësitë që këto të shfrytëzohen në mënyrë natyrale dhe me efektivitet. Kjo bëhet më evidente për kushtet e vendit tonë, sepse sipërfaqja punuese për kokë të banorit është nga më të voglat në Evropë, e cila dita-ditës po zvogëlohet. Nisur nga këto karakteristika, rruga kryesore e zhvillimit të prodhimit të grurit është ajo intensive, përndryshe nuk do të plotësohen nevojat e popullatës me produktet e kësaj bime.
Kjo është njëra anë e problemit, ndërsa ana tjetër është veçoria që e lidh prodhimin e grurit në Kosovë se sipërfaqja e tokës punuese është mjaft e fragmentuar, në ngastra të vogla gjë që e vështirëson dhe e pengon mjaft mekanizimin. Kjo ndikon jo vetëm në realizimin e rendimenteve të ulëta për njësi sipërfaqësore, porse edhe çmimi i prodhimit rezulton me kosto mjaft të lartë.
Sigurimi i bukës përbën shqetësim për konsumatorë, familje në nevojë, si dhe fermerët të cilët në shumë raste ngritin zërin e tyre për këtë kulturë strategjike. Zërit të fermerëve duhet t’i bashkohen edhe shumë mendime të botës akademike dhe qeveritare, në mënyrë që vendi ynë të mos shndërrohet në furnitorë importues të grurit dhe miellit të kësaj kulture.
Masat stimulative duhet të jenë konformë realitetit, për njohjen e politikave dhe praktikave koshiente që duhet realizuar për prodhimet strategjike. Gruri është kultura kryesore dhe më e përhapura në botë nga të gjithë drithërat tjerë. Për arsye të rëndësisë shumë të madhe në të ushqyerit e njerëzve, gruri përfaqëson artikullin më të rëndësishëm ushqyes strategjik të aktivitetit të punës së njeriut në përgjithësi.
Pavarësisht se sipërfaqet kultivuese me grurë në Kosovë përfshijnë 20 – 25% të sipërfaqeve punuese, rendimentet mesatare që realizojmë në shkallë vendi akoma janë mjaftë të ulëta dhe sillen 3,5-4,2 t/ha që d.m.th. potencialet prodhuese të kultivarëve bashkëkohor nuk po i shfrytëzojmë mbi 40 %. Në shumë vende të botës nuk plotësohen kërkesat me grurë nga prodhimtaria vendore, porse kjo kulturë importohet. Vendet e tilla ngelin të varura nga prodhuesit e mëdhenj të cilët diktojnë kushtet në qarkullimin e kësaj kulture. Për kushtet tona grurin e bëjnë të rëndësishëm edhe aftësia e lartë prodhuese për të dhenë 80-100 kv/ha në kushtet e prodhimtarisë së gjerë, shkalla e lartë e mekanizimit dhe kostoja e ulët e prodhimit. Kjo kulturë në të ardhmen duhet kultivuar në përputhshmëri të plotë të masave agroteknike sipas kërkesave biologjike të bimëve.
Sipërfaqet e mbjella me grurë në botë në pesëmbëdhjetëvjeçarin e fundit janë zvogëluar për 8 %, ndërsa rendimentet mesatare janë rritur për 31 % me ç’rast edhe prodhimtaria e përgjithshme botërore është shtuar për 20 %. Faktorët e realizimit të rendimenteve të ulta janë të shumtë si:
¬ zbatimi i agroteknikës jo përkatëse,
¬ përdorimi i farës jo cilësore për mbjellje,
¬ normat jo përkatëse të ushqimit (plehrimit),
¬ politikat jo të drejta ndaj prodhimit të grurit etj.
Me gjithë kërkimet dhe përpjekjet që janë bërë për bujqësinë në Kosovë, rezulton se një këndvështrim i ri duhet aplikuar në koherencë me zhvillimet e politikave bujqësore të saj. Po ashtu është e nevojshme që zhvillimet rurale e bashkë me të, mënyrat e kultivimit të bimëve duhet të jenë në të njëjtat kahe me zhvillimin e integruar dhe të qëndrueshëm rural, çka nënkupton veç të tjerash edhe mbrojtjen e agrosistemeve.
Tetori është afati optimal agroteknik për mbjelljen e grurit, andaj fermerët duhet t’i përgatisin repromateriale cilësore (farërat dhe plehrat) për mbjelljen e kësaj kulture strategjike, për sigurimin e bukës. Janë të padëshirueshme të shihen sipërfaqe djerrë, porse imazhe me ngastra të kultivuara që të sigurojmë bukë nga arat tona. Varësisht nga prania e lagështisë në tokë, koeficienti i vëllazërimit të kultivarit, sasia e plehërimit të përdorur dhe zona prodhuese, norma e farës nuk është e njëjtë, dhe ajo sillet nga 230-260 kg/ha. Për mbjellje duhet përdorur vetëm farë cilësore të atestuar, me aftësi dhe energji mbirëse konformë standardeve që parashihen për mbjelljen e grurit. Makinat mbjellëse duhet të përshtaten me normën e standardizuar dhe të njëjtat shpejtësinë e lëvizjes nuk duhet t’a tejkalojnë mbi shtatë kilometra në orë, që ta mbjellim farën në thellësi 2 – 4 cm, varësisht nga tipi i tokës. Për të realizuar rendimente të larta, kërkohen 100 – 150 kg/ha N, 60-80 kg/ha fosfor dhe 40-60 kg/ha kalium, në formë të materieve aktive.
Gjysma e fosforit dhe kaliumit hudhet para lëvrimit themelor, ndërsa gjysma tjetër e fosforit dhe kaliumit me një gjysmë doze azotike (40-60 kg/ha N) hudhet para mbjelljes.
(Autori është profesor në fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”)