“Të supozojmë, të imagjinojmë, mbase spekuluese”: Pyetjet orientuese të gjyqtarit zviceran për dëshmitarët në Hagë
Gjykimi në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve. Një pjesë të madhe të kohës, pyetje dëshmitarëve u bëjnë edhe gjyqtarët. Megjithatë, në disa raste, njëri nga ta duket se harton pyetje haptasi orientuese për dëshmitarët.
Kur dëshmitarët kryesorë në rastin e krerëve të UÇK-së japin dëshmi, pjesën e fundit të pyetjeve e bëjnë gjyqtarët. Megjithatë, në disa raste pyetjet e njërit prej gjyqtarëve po dalin të jenë orientuese.
Fjala është për gjyqtarin zviceran Genel Metro. Edhe pse situata të tilla kanë ndodhur me disa dëshmitarë, Nacionale ka evidentuar një rast ku haptasi pyetjet e gjyqtarit Metro kalojnë në nivelin spekulativ. Madje, këtë e pranon edhe vet gjyqtari përderisa po i shtronte këto pyetje.
Në disa raste, raporton Nacionale, ai i shtron pyetje dëshmitarit Hajrush Kurtaj të tipit: “Le të imagjinojmë”, “Të supozojmë” dhe në një moment gjyqtari thotë “t’ju pyes edhe një herë, mbase pyetje spekuluese”.
Në fillim, gjyqtari Metro e pyet zv/komandantin e Brigadës 162, se e kujt do të ishte përgjegjësia nëse një ushtar do të kishte kryer krime.
“Le të imagjinojmë për një çast sikur të kenë kryer krime, përgjegjësi e kujt do të kishte qenë brenda brigadës që të ndërmerrte hapa kundër personave brenda brigadës së tyre, nëse do të merrnin dijeni për këto veprimet e tyre. Kush ishte përgjegjës për marrjen e masave?” pyeti gjyqtari Metro.
“Nuk ka bërë askush krime të luftës, nuk muj me imagjinu se çka do të kishte ndodhur. Nuk ka pasur raste që ushtarët e brigadës 162 kanë bërë krime, por janë forcat e okupatorit serb që kanë kryer ndaj qytetarëve në Kaçanik, në përgjegthsi në krejt Kosovën.
Në një tjetër moment gjatë seancës, gjyqtari Metro e ballafaqon dëshmitarin Hajrush Kurtajn me një dokument të Brigadës 161. Këtu ai tenton në situatë hipotetike ta orientojë dëshmitarin nëse ka pasur raste të ngjashme në Brigadën të cilën ai e ka udhëhequr.
“E pranoni zotëri se ajo që shohim këtu, të paktën për nga rastet e brigadës 161 masat disiplinore janë marrë kundër anëtarëve të UÇK-së se e kanë lëshuar pozicionin dhe detyrën pa leje, e pranoni këtë?”, pyeti Metro.
“E pranoj (por kjo është) për një brigadë krejt tjetër, dhe një dokument përpara vetes pa kurrfarë emri e mbiemri, vetëm shkruan komandanti i brigadës nuk ka kurrfarë emri. Për mua nuk thotë asgjë ky vendim, edhe është i papranueshëm për mua”, u përgjigj Kurtaj.
Këtu gjyqtari Metro vazhdon me pyetje orientuese, të tipit “të supozojmë”.
“Të supozojmë se është kështu siç është kjo. Po na thoni që brigada 161 vepronte ndryshe nga brigada 162 për këtë çështje. Në rastin e brigadës 161 ushtari po ta lëshonte pozicionin disiplinohej, kurse në brigadën 162 jo. Këtë po dëshmoni?”, pyeti Metro.
“Vetëm për brigadën 162 muj me dëshmu që asnjë ushtarë nuk i ka lëshuar radhët e brigadës 162 Agim Bajrami, të gjithë ata që i kanë marrë detyrat edhe i kanë kthyer. Për brigada tjera nuk është kompetencë e imja të komentoj apo supozoj, se çfarëdo që të them mundem mos me qenë real”, u përgjigj sërish Kurtaj.
Në pyetjen e radhës, gjyqtari e pranon se po bën pyetje spekuluese, por e vazhdon këtë rutinë.
“Të iu pyes edhe një herë, mbase një pyetje spekuluese. Po të kishte ndodhur kjo në brigadën tuaj, pra siç ka ndodhur në këtë dokument, ta kishte lëshuar, të ishte larguar nga pozicioni ushtari, ju nuk do të merrnit asnjë masë disiplinore?”, tha gjyqtari zviceran.
“Nuk ka pasur raste në brigadën time se gjatë komunikimit me ushtarët e mi gjithëherë kam bashkëbiseduar dhe kam thënë ata që lodhen, ata që kanë nevojë me vizitu familjet le t’i drejtohen brigadës. Andaj nuk kemi pasur asnjë rast të ballafaqohemi me kësi vendime”, deklaroi dëshmitari Kurtaj.
Por, gjyqtari sërish nuk u zmbraps. Ai sërish e ktheu në pyetje hipotetike,
“Më duket se nuk iu përgjigjët pyetjes. Ta zëmë se ekziston rasti kur nuk ka kërkuar leje. Nëse një prej ushtarëve të brigadës tuaj të ishte largu nga pozicioni, pa lejen tuaj, ju po thoni që nuk do të kishte pasur asnjë pasojë. Nuk do të ishte marrë asnjë masë?”, pyeti gjyqtari Metro.
“Derisa nuk kam pasur asnjë rast nuk muj me spekulu, me supozu. Se po e shoh tash që edhe për ato gjërat që kam supozuar po duhet me dhënë përgjegjësi, nuk muj me supozu. Në brigadën time nuk ka pasur kësi raste”, deklaroi Hajrush Kurtaj.
Kjo nuk është hera e parë që gjyqtari Metro bën pyetje të tilla. Kur dëshmitar ishte Sadik Halitjaha, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e ngriti shqetësimin për pyetjet e Metros, dhe në seancë pati edhe një përplasje.
“Ai ka përdorur fjalën rregullore, ka thënë që nuk janë përdorur asnjëherë. Do të ishte e dobishme për dëshmitarin që pyetjet të mos ia bëni sygjestive dhe ti kërkoni atij që të komentojë”, tha Emmerson.
“Unë po ngre kundërshtim dhe kam të drejtë”, tha avokati i Veselit.
“Po nuk thatë kundërshtim?”, ia ktheu sërish gjyqtari.
Emmerson insistoi se pyetja e gjyqtarit ishte përfaqësim i pasaktë.
“Është sygjestive dhe është përfaqësim i pasaktë i dëshmisë së tij”, deklaroi avokati britanik.
Këtu ndërhyri kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Ai ia rrëzoi kundërshtimin Emmersonit.
“Do të keni mundësinë tuaj për të bërë pyetje. Kundërshtimi juaj rrëzohet”, tha Charles Smith.