
Të ushqyerit shëndetshëm përgjatë çdo faze jetësore
Mungesa e vitaminave apo mineraleve gjatë fëmijërisë mund të shkaktojë probleme afatgjata si anemi si pasojë e mungesës së hekurit, dobësim të eshtrave, dobësim të imunitetit apo rritje të vonshme.
Ushqimi i shëndetshëm për fëmijët është një nga faktorët më të rëndësishëm për parandalimin e të gjitha formave të kequshqyerjes(përfshirë nën ushqyerjen, mungesën e vitaminave apo mineraleve, mbipeshën, obezitetin dhe sëmundjet jo të komunikueshme). Sipas Organizatës Botërorë të Shëndetit (OBSH), kequshqyerja është një nga rreziqet më të mëdha të shëndetit publik. Nën ushqyerja mund të shkaktojë ngecje në rritje të fëmijës, duke pasur kështu ndikim në aftësitë njohëse dhe fizike të fëmijës. Mungesa e vitaminave apo mineraleve gjatë fëmijërisë mund të shkaktojë probleme afatgjata si anemi si pasojë e mungesës së hekurit, dobësim të eshtrave, dobësim të imunitetit apo rritje të vonshme. Ndërkaq, mbipesha dhe obeziteti janë ndër faktorët kryesorë të zhvillimit të sëmundjeve jo të komunikueshme si diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës apo kanceri. Prandaj, të ushqyerit shëndetshëm në kopshte dhe shkolla ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve.
Planifikimi i menusë ka për qëllim të ndihmojë në përmbushjen e rekomandimeve për ushqyerjen e shëndetshme te fëmijët – të adaptuara nga Rekomandimet Dietetike Amerikane 2020 – 2025. Rekomandimet bazë janë:
1. Të ndiqet një model i të ushqyerit shëndetshëm përgjatë çdo faze jetësore.
a) Deri në 6 muajt e parë të jetës, foshnjat duhet të ushqehen ekskluzivisht me qumësht gjiri apo formulë të pasuruar me hekur. Foshnjave duhet t’u epet suplement i vitaminës D menjëherë pas lindjes.
b) Prej 6 muajve, foshnjat duhet t’u ofrohen ushqime të ngurta të dendura në vlera ushqyese dhe jo kalori. Alergjenët potencial duhet të testohen bashkë me ushqimet tjera. Foshnjat dhe fëmijët duhet të konsumojnë llojllojshmëri të ushqimeve nga të gjitha grupet ushqimore. T’i ipet prioritet ushqimeve të pasura me hekur dhe zink, sidomos për foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri
c) Nga mosha 12 mujore, duhet të respektohet një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit, përgjatë tërë jetës, në mënyrë që të përmbushen nevojat nutricionale, arrihet një peshë e shëndetshme trupore dhe reduktohet rreziku për sëmundje kronike.
2. Të shijohen ushqimet dhe pijet e pasura me vlera ushqyese, duke konsideruar preferencat personale, traditat kulturore dhe buxhetin. Një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit mund t’i ndihmojë të gjithë njerëzit, pavarësisht moshës, racës, përkatësisë etnike apo statusit shëndetësor.
3. Të ketë fokus në marrjen e të gjitha grupeve ushqimore me ushqime dhe pije të dendura me vlera ushqyese, duke qëndruar në limitet e kaloriazhit. Ushqimet e dendura me vlera ushqyese ofrojnë vitamina, minerale dhe komponentë tjerë ushqimorë të cilët promovojnë shëndetin, por sasi të ulët të sheqerit, yndyrës së ngopur dhe natriumit. Elementet bazë të cilat e përbëjnë një model të shëndetshëm të ushqimit janë:
– Të gjitha llojet e perimeve – të gjelbërta, kuqe, portokallta
– Frutat – sidomos frutat e plotë
– Drithërat – të paktën gjysma e të cilave duhet të jenë drithëra të plota(integrale)
– Produktet e qumështit
– Ushqimet e pasura me proteina
– Yndyra
4. Të limitohen ushqimet dhe pijet e pasura me sheqer të shtuar, yndyrë të ngopur dhe natrium. Në çdo fazë jetësore, konsumimi i ushqimeve prej të gjitha grupeve ushqimore duhet të bëhet bashkë me limitimin e kalorive dhe natriumit. Një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit nuk ka shumë vend për sheqer të shtuar, yndyrë të ngopur apo natrium. Limitet janë:
a) Për sheqer të shtuar – më pak se 10% të kalorive, duke filluar nga mosha 2 vjeçare. Të evitohet konsumimi i ushqimeve dhe pijeve me sheqer të shtuar deri në moshën 2 vjeçare.
b) Për yndyrë të ngopur – më pak se 10% të kalorive, duke filluar nga mosha 2 vjeçare.
c) Për natrium – më pak se 1000mg në ditë për fëmijët e moshës 1-3 vjeç, me pak se 1200mg në ditë për fëmijët e moshës 4 – 8 vjeç.
Grupet ushqimore
Ekzistojnë 5 grupe ushqimore bazë të cilat fëmijët duhet t’i konsumojnë në baza ditore apo javore. Këtu hyjnë:
Perimet – mund të përdoren të freskëta, pjekura apo ziera. Gjatë sezonës preferohet përdorimi i perimeve të freskëta, ndërkaq jashtë sezonës mund të përdorën edhe ato te ngrira apo konservuara.
Spinaqi, brokoli, lulelakra, kungulleshka, patëllxhani i zi, qepa, hudhra, sallata e gjelbër, trangulli, karota, rrepa e kuqe, domatet, rrepa e kuqe, speci, lakra e bardhë dhe e kuqe, boranijat.
Frutat – mund të përdoren të freskëta, pjekura, thata apo si lëng i shtrydhur. Të përdoren sipas sezonës.
Molla, dardha, banania, portokalli, mandarinat, kivi, dredhëzat, pjeshka, pjepri, shalqiri, kajsitë, rrushi i terur, kumbullat e thata,
Drithërat dhe perimet me amidon
Buka, orizi, makaronat, bollguri, kuinoa, kuskus, mielli i misrit, tërshëra, drithërat e mëngjesit, patatet e bardha, patatja e ëmbël, bizelet, misri.
Mishi dhe nënproduktet e mishit
Mishi i viçit, pulës, peshkut, veza, fasulet, thjerrëzat, qiqrrat dhe arrat. Produktet e qumështit
Qumështi, kosi, jogurti, djathi Yndyrërat
Vaji i ullirit, lulediellit, gjalpi, ullinjtë, arrat, bademat, lajthitë, farat e lirit, lulediellit, kungullit, avokado.
Nevojat ushqyese
Tabela më poshtë tregon nevojat e vlerave ushqyese te fëmijët e grup moshave të ndryshme, duke marrë për bazë Referencat Dietetika (DRIs) nga Instituti i Medicinës (IOM).
Vlerat ushqyese Mosha 1 – 2 vjeç Mosha 3 – 6 vjeç
Kaloritë(kcal/ditë) 800-1000 1200-1600
Karbohidratet(g/ditë) 130 130
Proteina(g/ditë) 13 19
Fibra(g/ditë) 14 17
Kalcium(mg/ditë) 700 1000
Hekur(mg/ditë) 7 10
Vitaminë A(mcg/ditë) 300 400
Vitaminë C(mg/ditë) 15 25
Natrium(mg/ditë) 1000 1200
Modeli i shujtave
Një nga qëllimet kryesore të krijimit të menusë për kopshte është servimi i shujtave dhe zamrave të pasura me vlera ushqyese, të cilat përputhen me modelin e krijuar të shujtave, dhe të cilat u pëlqejnë fëmijëve. Në mënyrë që kjo të arrihet, kuzhina qendrore duhet të sigurohet se çdo shujtë që u servohet fëmijëve, të përmbajë të gjithë komponentët ushqimorë, në sasinë e përcaktuar për grup moshat e ndryshme si më poshtë:
Mëngjesi:
Mëngjesi duhet të jetë i pasur me proteina, fibra, kalcium, vitaminë C dhe sasi të moderuar të yndyrës së shëndetshme. Prandaj, sipas këtij modeli, mëngjesi duhet të përmbajë të paktën:
1 porcion proteina(qumësht, kos, djathë, vezë)
1 porcion drithëra(bukë, tërshërë, drithëra të mëngjesit, miell misri, grizë)
1 porcion frut ose perime(çfarëdo fruti apo perime i plotë, ose lëng i shtrydhur i frutave apo perimeve)
Dreka: Dreka që u ofrohet fëmijëve duhet të përmbajë të paktën:
2 porcione perime (2 ose më shumë lloje të perimeve)
1 porcion drithëra apo ushqime tjera të pasura me amidon (oriz i kaftë, bollgur,patate, bizele, bukë, makarona)
1 porcion ushqime të pasura me proteina(mish i viçit, mish i pulës, peshk, fasule, thjerrëza, bizele apo kos)
1 porcion yndyrë për përgatitje(vaj ulliri, luledielli apo gjalpë)
Zamra:
Qëllimi i zamrës është të jetë e shëndetshme, e pasur me proteina dhe fibra, kurse e ulët në sheqer dhe yndyrë. Prandaj, zamra duhet të përmbajë të paktën 2 nga 3 komponentët:
1 porcion fruta të plota
1 porcion produkte të qumështit(qumësht, kos apo djathë)
1 porcion drithëra(bukë, tërshërë, oriz, drithëra të mëngjesit)
Frutat
• Të ofrohet të paktën 1 porcion i frutave për fëmijë çdo ditë.
• Të ofrohet llojllojshmëri e frutave(të paktën 2 lloje gjatë ditës) dhe të paktën 4 lloje gjatë javës.
• Të ofrohen frutat e thata deri 1 herë në javë.
• Të ofrohen lëngjet e frutave dhe perimeve të shtrydhura 100% prej frutit, pa sheqer të shtuar.
• Të ofrohen burimet e mira të vitaminës A(pjeshka, shalqiri, kajsia, portokalli dhe mandarinat) të paktën 2 herë në javë
• Të ofrohen burimet e mira të vitaminës C(molla, bananja, dredhëzat, portokalli, mandarina, kumbulla, pjeshka, shalqiri, pjepri) çdo ditë.
Perimet
• Të ofrohen të paktën 1 porcion e gjysmë perime në ditë
• Të ofrohet llojllojshmëri e frutave(të paktën 2 lloje gjatë ditës) dhe të paktën 4 lloje gjatë javës.
• Të ofrohen burimet e mira të vitaminës A(sallata e gjelbër, spinaqi, karrota, brokoli, bizelet, patatja e ëmbël, domatja) të paktën 2 herë në javë.
• Të ofrohen burimet e mira të vitaminës C (brokoli, lakra, lulelakra, domatja, speci, boranijat, bizelet) çdo ditë.
Drithërat
• Të ofrohen të paktën 2 porcione të drithërave për fëmijë çdo ditë.
• Të ofrohen drithëra me sasi të lartë të fibrave(tërshëra, bollguri, mielli i misrit, orizi integral) të paktën 3 herë në javë, preferueshëm çdo ditë.
• Të ofrohen drithëra të mëngjesit të cilat nuk përmbajnë më shumë se 10 gramë sheqer për porcion(e deklaruar në etiketë ushqimore)
Produktet e qumështit
• Të ofrohen të paktën 2 porcione të produkteve të qumështit në ditë.
• Të ofrohen qumështi dhe kosi me 3,5%
• Të limitohet konsumimi i ajkës dhe gjalpit. Mishrat dhe alternativat
• Të ofrohet të paktën 1 porcion i mishit, vezëve, fasuleve apo thjerrëzave në ditë.
• Të ofrohet mishi i kuq pa yndyrë deri 2 herë në javë
• Të ofrohet mishi i pulës deri 2 herë në javë
• Të ofrohen fasulet, thjerrëzat apo bizelet të paktën 1 herë në javë
• Të ofrohet peshku të paktën 1 herë në muaj Yndyrorët e shëndetshme
• Të përdoren vajrat e monosaturuara apo polisaturuara gjatë përgatitjes si vaji i ullirit apo lulediellit
• Të përdoret gjalpi jo më shumë se 2 herë gjatë javës në gatime
• Të limitohet sasia e vajit apo yndyrërave në jo më shumë se 15g (3 lugë të vogla) në ditë
Ushqimet me sheqer, kripë dhe yndyrë të shtuar
• Të limitohet përdorimi i ushqimeve të gatshme si biskota, ëmbëlsira, pudingë të gatshëm, jogurta të frutave të gatshme, lëngjeve të frutave të gatshme.
Uji
• Të ofrohet uji në shumicën e rasteve gjatë shujtave, dhe gjatë ditës
• Të mos tejkalohet sasia e rekomanduar e sheqerit gjatë përgatitjes së çajit.
Përdorimi i mëlmesave
• Të limitohet sasia e kripës gjatë përgatitjes në jo më shumë se 1g në ditë.
• Të përdoren mëlmesat dhe erëzat gjatë përgatitjes: hudhra, rozmarina, dafina, origano, menta.
Teksi i sponsorizuar nga Kuzhina