Teatri i qytetit “Muharrem Qena” fillon nga muaji shkurt me mbajtjen e aktiviteteve kulturore
U.d i drejtorit të Teatrit të qytetit, “Muharrem Qena” në Mitrovicë, Sabit Sheremeti, ka mirëpritur në takim zv/ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sejnur Veshall, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Ky takim është zhvilluar në kuadër të politikave të komunikimit masiv të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta me komunitetin artistik dhe me akterë nga skena e pavarur kulturore.
Nga zv/ministri i MKRS-së, Sejnur Veshall, është bërë e ditur se kjo ministri do të filloj me realizimin e aktiviteteve të përbashkëta me komunitetin artistik, respektivisht me komunitetin e teatrove, ku Teatri i Mitrovicës do të jetë teatri i parë në nivel të teatrove të Kosovës që do të filloj nga muaji shkurt me mbajtjen e takimeve dhe aktiviteteve nga fusha kulturore.
Me këtë rast, u.d i Teatrit të qytetit, Sabit Sheremeti, ka falënderuar përfaqësuesit e MKRS-së për vizitën dhe interesimin e tyre, duke ofruar bashkëpunimin e tij të plotë në realizimin e aktiviteteve që i referohen teatros.