Teatri Kombëtar i Kosovës i nënshtrohet renovimit të plotë
Për vite me radhë, ndërhyrjet renovuese në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e kanë zgjidhur në tërësi problemin me strukturën, instalimet dhe funksionalitetin e përgjithshëm të ndërtesës.
Si rrjedhojë, analiza e gjendjes e kryer nga ekspertë të MKRS dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” konkludon shkallë të lartë të degradimit të ndërtesës e hapësirave brenda saj, madje, me nivel të theksuar të rrezikshmërisë për punonjësit apo njerëzit që e frekuentojnë këtë institucion të rëndësishëm të artit e kulturës.
MKRS, duke vepruar në perputhje me përfundimet profesionale e shkencore të ekspertëve, është vënë në veprim për të inicuar e zhvilluar një proces tërësor të ndërhyrjeve renovuese që do t’i adresojë të gjitha nevojat e revitalizimit, të projektimit, ekzekutimit të ndërhyrjeve dhe funksionalizimit të plotë të ndërtesës së TKK, në të cilën po ashtu ushtron veprimtarinë e vet edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.
Për këtë qëllim është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Inxhinerise Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike për ofromin e ekspertizës profesionale për QRTK në Prishtinë në procesin e hartimit të projektit të konservimit/restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Në përfundim të këtij procesi, MKRS është e bindur se kryeqyteti do të rifitojë një institucion teatror me hapësira funksionale, moderne dhe të përshtatshme për të zhvilluar veprimtarinë e dy nga institucionet kryesore të artit skenik, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar të Kosovës.