Teatri Kombëtar, Instituti i Ndërtimit dhe kronika e një vdekjeje të paralajmëruar
Nga Adri Nurellari
Në këto ditë të zymta kur shoqëria jonë po lëngon prej stresit të rëndë që ka ardhur si pasojë e traumës së tërmetit, më rastisi të kaloja para godinës së Teatrit Kombëtar që u duk krejtësisht e pacenuar prej tërmetit. Mu kujtua që vitin e kaluar Instituti i Ndërtimit deklaronte se godina e Teatrit Kombëtar duhet shembur se është i rrezikshëm ndërkohë i njëjti institut ka toleruar ndërtimin e mijëra ndërtimeve të rrezikshme nëpër Shqipëri si dhe kualifikoi si të banueshme , pas tërmetit të 21 shtatorit, ato ndërtesa që në tërmetin e 26 nëntorit morën jetë. Mirëpo me sa duket të ashtuquajturat “muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune” kanë mbijetuar për bukuri.
Sot del se ky kinse “kapanon kompensato” ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar, e ka përballuar më së miri tërmetin e fundit ndërkohë që u shembën ose janë bërë të pabanueshme qindra ndërtesa të viteve të fundit që mbase mbajnë edhe miratimin e kryebashkiakëve të mëparshëm socialistë të Durrësit e Tiranës. Fakti që kjo ndërtesë “prej kartoni” ka rezistuar pa kurrfarë problemi jo vetëm që duhet të bëj qeverinë që të heqë dorë nga shkatërrimi i tij, por duhet ta inkurajojë që të promovojë atë teknikë ndërtimi si të paprekshme nga tërmeti. Pra i bie që sa më shumë ndërtesa të bëhen si Teatri Kombëtar sepse kjo strukturë i përballuaka të gjitha sfidave të natyrës pa kurrfarë problemi. Përpos kësaj, ky fakt dëshmon edhe instrumentalizimin e ulët politik të Institutit të Ndërtimit.
Me propozimin e kryeministrit aktual të Shqipërisë, kjo ndërtesë sikurse edhe stadiumi Qemal Stafa i dikurshëm, janë shpallur monument kulture që duhen mbrojtur nga shteti. Bëhet fjalë për vendimin Nr .180, datë 13.4.2000 Për Shpalljen Ansambël Monument Kulture të Aksit Kryesor dhe Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës të propozuar nga ministri i kulturës Rama, i cili u shfuqizua me vendimin Nr. 325, datë 12.4.2017 nga qeveria Rama. Ky shfuqizim është një absurd i llojit të vetë sepse zakonisht kalimi i kohës vetëm ia shton rëndësinë monumentale një ndërtese historike mirëpo këtu në Shqipëri ndodh e kundërta.
Në qershor të vitit të kaluar instituti i Ndërtimit paraqiti publikisht analiza studimore për sa i takon gjendjes së godinës së Teatrit Kombëtar duke deklaruar në mënyrë pompoze e alarmuese se në kushtet aktuale Teatri Kombëtar rrezikon që të kthehet në një rrezik potencial për artistët dhe po ashtu edhe qytetarët. Mandej i njëjti institucion i varur nga shteti deklaronte se objekti duhej rafshuar sepse kostoja e restaurimit do të ishte shumë herë më e lartë se ajo e ndërtimit. Me këtë logjikë i bie që mos të restaurojmë asnjë monument në Shqipëri për t’ua trashëguar brezave të ardhshëm por ti shkatërrojmë e ti ndërtojmë me çimento nga e para sepse kushton më lirë. Kjo logjikë të kujton atë anekdotën e kohës së komunizmit kur dikush i ankohej eprorit se ishin duke shkatërruar një monument historik shumë të vjetër ai përgjigjej “ mos ki merak se partia është e aftë dhe do e ndërtojë një edhe më të vjetër se i mëparshmi”
Duhet theksuar se ky institut u krijua në vitin 2004 si rezultat i bashkimit të Institutit të Studimeve të Teknologjisë së Ndërtimit (ISTN), Institutit të Studimeve e Projektimeve Hidroteknike (ISPH) dhe të ish Institutit të Studimeve të Projektimeve të Ujësjellës Ndërtime (ISPUN) në varësi të Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Një ndër pikat kyçe të funksionit të kësaj ndërmarrje shtetërore është: “vlerësime konformiteti dhe kontrolle për produktet e ndërtimit që lidhen me sigurinë e jetës”. Pas tërmetit të 21 shtatorit drejtori i këtij institucionit ka deklaruar në mënyrë triumfale se ndërtesat shqiptare janë të sigurta e të forta dhe se inxhinierët tanë kanë bërë punë shumë të mirë profesionale.
Njësoj si me Teatrin Kombëtar, ky institut e tregon për herë të dytë se është plotësisht në shërbim të agjendës politike të partisë në pushtet dhe jo të qytetarëve dhe ligjit duke përpiluar një raport të detajuar prej 8 faqesh me pjesëmarrjen e 6 inxhinierëve për pallatin ku banonte lideri i opozitës. Ky i fundit kishte deklaruar se ishte zhvendosur e kishte marrë një shtëpi me qira në “Long Hill” për shkak se duhej të bënte riparime të dëmeve të tërmetit. Kuptohet këtu që bëhet fjalë për banesën në katin e fundit dhe për një traumë të madhe edhe të fëmijëve të vegjël prej lëkundjeve që ndihen më shumë në kat të lartë.
Mirëpo për të hedhur poshtë këto pretendime dhe për ta nxjerrë Lulzim Bashën si mashtrues, Instituti i Ndërtimit ka përpiluar 40 ditë më vonë (pra pasi doli në media zhvendosja) një raport teknik për pallatin ku banon Lulzim Basha. Në të shprehet se nuk ka dëmtime në strukturën e tij dhe rrezik shembje, por vetëm plasaritje të vogla. Pra në vend që të analizonin më hollësisht pasojat e rënda në Thumanë të tërmetit të 21 shtatorit dhe rreziqet që (e që faktikisht u materializuan në 26 nëntor) kishin ndërtesat e dëmtuara, ky institut kishte kohë, nge e njerëz për t’u marrë në hollësi me hedhjen poshtë të pretendimeve të liderit të opozitës për pallatin e tij në Tiranë.
Me pak fjalë po shohim se nga njëra anë ky institut shtetëror menjëherë vihet në veprim në mënyrë të zellshme në shërbim të agjendës politike të qeverisë kur bëhet fjalë për të justifikuar gllabërimin e tokës së Teatrit Kombëtar duke rekomanduar shembjen e tij apo për të nxjerrë në siklet liderin e opozitës duke raportuar se nuk kishte arsye objektive për t’u zhvendosur nga banesa drejt bllokut të vilave. Porse nga ana tjetër neglizhon sigurinë e qytetarëve duke toleruar qindra ndërtime që do duhej të kishin pasur një kambanë alarmi shumë kohë përpara tragjedisë së tërmetit të fundit.
Fakti që disa nga ndërtimet e Thumanës që morën jetë në nëntor e Thumanës ishin verifikuar tashmë në shtator, lë të mendohet për një “kronikë të një vdekjeje të paralajmëruar”, thënë në fjalët e Markezit. Kjo tragjedi vë në dukje rrezikun që vjen prej politizimit ekstrem të institucioneve nevralgjik teknik të shtetit sikurse është Instituti i Ndërtimit, që neglizhojnë detyrën ndaj ligjit dhe qytetarëve por të gatshëm për t’u hedhur me vetmohim në front për çdo thirrje që i bën partia. Po ashtu gjetja e përgjegjësive ligjore për pasojat e tërmetit përbën edhe një ndër sfidat më të freskëta që e presin SPAK-un sapo të formohet, për ta dëshmuar veten nëse e ka seriozisht vendosjen e drejtësisë në këtë vend.