Tegeltija mandatohet për formimin e qeverisë në Bosnje dhe Hercegovinë
19 nëntor 2019
| 16:31
Ish-ministri i Financave në Republikën Serbe, Zoran Tegeltija është emëruar si mandatar për formimin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës.
Tegeltija është emëruar në një seancë të veçantë të Presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Ai i takon Unionit Social Demokrat të udhëhequr nga anëtari serb i presidencës, Millorad Dodik.
Bosnja dhe Hercegovina ka qenë pa qeveri në nivel federal, për më shumë se një vit, sepse liderët e partive nuk arritën një marrëveshje pas zgjedhjeve.
Mospajtimet kryesore kishin të bëjnë me miratimin e Planit Vjetor Kombëtar, dokument që përafron vendin me Aleancën Veriatlantike (NATO).
Anëtari serb i presidencës, Millorad Dodik, ka kundërshtuar miratimin e planit.