Tehu i dëshpërimit, drejt fundit
Nga Musa Sabedini
Nuk do të shkojë fort larg dhe këta politikanët tanë dhe qeveritarët e tanishëm do të flasin sikur në ëndrra dhe do të detyrohen të gënjejnë e të shpikin lloj-lloj mashtrimi, vetëm që të shpëtojnë nga zemërimi dhe tehu i dëshpërimit qytetar që, si duket, është kah fundi. Tani po dëgjojmë propozime nga më të ndryshmet, derisa qëllimi i tyre përfundimisht është krijimi i një Kosove “qesharake” sepse ndryshe nuk mund të kuptohet kjo politikë pa shije, pa kreativitet dhe pa njohje elementare të diplomacisë. Në Shqipëri përdoren shumë sallatat çobane. Ndoshta kjo shprehje më së miri u përgjigjet “çobanëve” tanë të cilët nga zori dhe nga halli i tyre, po bëjnë gjeste të paekuilibruara në raport me publikun.
Nuk është aspak befasuese që në ditët e ardhshme të dëgjojmë, të shohim e të përjetojmë rrena nga më të ndryshmet, propozime nga më të çoroditurat. Dhe, pse po ndodh kjo?
Politika e Kosovës ka gënjyer mjaft, ka manipuluar mjaft me ndjenjat e qytetarëve të saj. Tani është fundi ose jemi në tehun e dëshpërimit. Qytetarët nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u marrë me gënjeshtrat e qeveritarëve, por as të opozitës, e cila tërë kohën është marrë dhe po merret me problemet periferike.
Hashim Thaçi nga “sikleti” çdo ditë po thërret konferenca shtypi, Ramushi ndërkaq çdo ditë po bën gafe të llojeve fëmijërore. As politikanët e tjerë nuk janë stabilë, kurse opozita po sillet shumë naive karshi gjendjes në të cilën ndodhet Kosova.
Nuk pajtohem me konstatimet, nga më të ndryshmet, se Hashim Thaçi po e bën këtë lojë për ta shpëtuar veten nga Specialja. Kjo nuk qëndron, sepse u bënë gjashtë vjet që është folur e përfolur se Thaçi do të shkojë këtu e atje, por nuk ndodhi asnjëra dhe, unë nuk besoj se Thaçi do të gjykohet, por presidenti i vendit mund të përballet me zemërimin qytetar.
Por, cili është sikleti ose halli që kanë pothuajse të gjithë liderët tanë, duke mos përjashtuar këtu as Gjergj Dedajn, i cili foli përçartë dhe pa fije sensi e shije, derisa pret të bëhet ambasador në një vend ku klima myslimane është në rritje dhe në përkrahje të qeveritarëve aktualë në Turqi.
Liderët tanë, si ata shtetërorë, ashtu edhe ata opozitarë, do të nxjerrin nga mendjet e tyre çdo ditë propozime qesharake. Ndodhi propozimi me Luginën, pastaj doli Ujmani, ndërkohë Kadri Veseli merret me eshtrat e Isa Boletinit. Pra, janë ide dhe koncepte krejt të kundërta me atë që çdo ditë ka folur dhe ka propaganduar klasa politike. Pra, këto propozime të çoroditura synim kanë largimin e publikut nga liberalizimi i vizave, i cili nuk do të ndodhë këtë vit, nga krijimi i vendeve të reja të punës, krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Unë personalisht mendoj se kjo garniturë politike, pozitë dhe opozitë, do ta ketë të vështirë ta çojë përpara Kosovën në agjendën e saj evropiane. Gjasat që Kosova të mbetet stabile në arenën ndërkombëtare janë të pakta, ndërsa publiku i shumtë që frekuenton nëpër rrjetet sociale, preokupim kryesor e ka aspektin fetar, problemet e brendshme të Turqisë dhe politizimin e luftës së fundit.
Për të ndodhur e kundërta, institucionet e Kosovës kanë për obligim ta thonë të vërtetën, ndërsa Kuvendi i Kosovës, që llogaritet ndër më të dobëtit në periudhën e pasluftës, duhet të bëjë trysni te klasa politike dhe te vetvetja që marrëveshjet eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë të jenë publike për qytetarët.