Tekstet shkollore, PDK-ja: Do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministres Nagavci
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka cilësuar të turpshme dhe ikje nga përgjegjësia bojkotimin e seancës së jashtëzakonshme nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku do të diskutohej lidhur me dështimin e qeverisë Kurti për sigurimin e librave shkollorë.
Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media, ka thënë se vendimi i fundit i qeverisë për librat ka qenë goditja e fundit për arsimin në Kosovë.
“Goditja e fundit është goditja që i dhanë arsimit, dhe ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në seancë por u turpëruan nga prindërit e nxënësit sepse kjo ishte e tmerrshme atë që e dëgjuam në konferencë për medie. Ne do të bëjmë çmos që këtë legjislaturë ta dërgojmë në shtëpi sepse kjo legjislaturë krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka njoftuar se PDK-ja do të bëjë kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për privimin e 210 mijë nxënësve nga librat shkollorë.
“Ne do t’i bëjmë kallëzim penal ministres së arsimit sepse është përgjegjëse direkte për privimin e 210 mijë nxënësve duke mos realizuar një kompetencë të saj ligjore, privimin nga librat. Ne do t’i bëjmë një kallëzim penal ministres në këtë rast dhe në anën tjetër i bëjmë thirrje i thirrje gjithë prindërve që të ushtrojnë kallëzim penal në baza të tyre private për privimin e fëmijëve të tyre për tekste shkollore”, ka thënë ai.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se mosardhja e deputetëve të mazhorancës shpërfaqë faktin që Qeveria e Kosovës po e dikton dhe bllokon agjendën parlamentare.
“Mosardhja e deputetëve të mazhorancës në seancën e sotme të jashtëzakonshme të ftuar nga opozita mbi çështjen e teksteve shkollore falas, është ikje prej përgjegjësisë. Ajo që është edhe më e rrezikshme dhe që ka filluar të shpeshtohet është diktimi dhe bllokimi i agjendës parlamentare nga Qeveria e Kosovës. Për turp”, është shprehur Hoxha.