
Telashe për Golden State, lëndohet Curry
Telashe për skuadrën e Golden State Warriors, pasi kapiteni dhe lojtari i saj më i mirë, Stephen Curry, është lënduar në sfidën e fundit ndaj Indianas.
Ky lëndim ndodhi në periodën e tretë, duke detyruar kampionin e NBA-së të lërë fushën e lojës para kohe.
Curry pati një kontakt me Jalen Smith, ndërkohë që pas ndeshjes ka kryer menjëherë një rezonancë magnetike të shpatullës. Pas përfundimit të analizave, mjekët konfirmuan dëmtimin e shpatullës së djathtë, duke shtuar se lojtari do të qëndrojë disa javë pushim absolut. Për pasojë, ylli i NBA-së nuk do të luajë më këtë vit dhe do të rikthehet në fushë vetëm në mesin e janarit. Skuadra kampione e Golden State po kalon një moment jo fort të mirë, duke humbur mjaft ndeshje, sidomos jashtë fushe.