TELEGRAM NGUSHLLIMI ALI AHMETIT PËR ABDILHAQIM ADEMIN

17 shkurt 2018 | 17:35

Telegram ngushëllimi udhëheqësit të popullit shqiptar Ali Ahmeti, me rastin e ndarjes nga jeta të personalitetit të shquar të BDI-së e të shtetit të Maqedonisë.

I dashur dhe shumë i nderuar shoku dhe miku im i madh Ali Ahmeti.

Lajmi i kobshëm se ka pushuar së rrahuri zemra e shokut dhe bashkëpunëtorit Tuaj më të ngushtë, sekretarit të përgjithshëm të BDI-së, shefit të Shtabit Zgjedhor të BDI-së në disa zgjedhje partiake, e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, ministrit të Ambientit, por edhe bartësin e shumë funksioneve relevante e organizatorit të talentuar e me autoritet, mikut tim Abdilhaqim Ademi, na ka shkaktuar shumë dhembje e shumë hidhërim, na e ka ndalur frymën.

Dhembja për vdekjen e hershme të Abdilhaqim Ademit është e madhe, ngase u humb një burrë i madh e i shquar, një shqiptar i devotshëm, një njëri me qëndrime të qarta e parimore.

Ndarja nga kjo jetë e Abdilhaqim Ademit është e dhembshme, sepse pushoi së rrahuri zemra e një shqiptari besnik i cili në momente dramatike, jo vetëm nuk jepej e nuk dorëzohej, por qëndronte stoik e i palëkundur, nuk tundej përpara asnjë presioni e asnjë shantazhi ngado që i vinte!

Për neve shokët dhe bashkëveprimtaret e udhëheqësit të popullit Shqiptar Ali Ahmeti, ikja dhe ndarja nga kjo jete e Abdilhaqim Ademit, është dhembje e rëndë, është goditje e drejtpërdrejtë, se u humb shoku e miku i madh, shoku e bashkëpunëtori më i madh e më i ngushtë i kryetarit te BDI-së.

Si ka mundësi të mos jemi të mërzitur e të mos jemi të tronditur nga dhembja, kur kujtojmë se ka ndërruar jetë dhe më nuk është në mesin tonë, në mesin e të gjallëve, ai shqiptari i madh Abdilhaqim Ademi, që e ka përjetuar atentatin e tmerrshëm në veturë bashkë me Ali Ahmetin e shoqëruesin besnik të Aliut, Shefik Ismailin.

Ishte Abdilhaqimi Ademi, ai që i ishte bërë mburojë e gjallë udhëheqësit të popullit shqiptar Ali Ahmeti, kishte qenë në gjendje që edhe me trupin e Tij ti bëhej mburojë e gjallë, që të mos e kapnin plumbat e atentatorëve kriminel.

Abdilhaqim Ademi mbetet figura e madhe e politikanit shqiptar jo vetëm në Maqedoni, që u angazhua dhe dha maksimumin për prosperimin e gjithanshëm të popullit shqiptar në Maqedoni!

Si asnjë tjetër personalitet, shqiptari Abdilhaqim Ademi, dëshmoi katërçipërisht, se kush bashkëpunon ngushtë e në mënyre besnike e parimore me Udhëheqësin Ali Ahmeti, nuk i mungojnë sukseset dhe se mbetet përgjithmonë figure e madhe e kombit dhe Atdheut e të popullit shqiptar!

Politikanët e ardhshëm të BDI-së e të popullit shqiptar në Maqedoni, duhet të ndjekin shembullin e këtij burri të nderuar e të politikanit atdhetar të përkushtuar, se si duhet të jenë besnik deri në vdekje ndaj kauzës së shenjtë të popullit që i takojnë dhe udhëheqësve të mëdhenj që u qëndrojnë përkrah pa iu trembur syri!

Edhe njëherë i nderuari shoku e miku im Ali Ahmeti, ngushëllime për vdekjen e Abdilhaqim Ademit, dhe nëpërmjet Juve, shpreh ngushëllimet e mia familjes se Abdilhaqimit dhe gjithë popullit shqiptar ne Maqedoni!

Lamtumirë miku im Abdilhaqim Ademi!

Të qoftë i lehtë dheu i tokës së Atdheut!

Ismet Sylejmani
Prishtinë, 17 shkurt 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim yllin…