Telegrami dhe tregime të tjerë tregon kush jemi
Telegrami dhe tregime të tjerë është libri i parë i shkrimtarit të ri Albin Mehmeti i cili sapo ka dalë nga shtypi nga shtëpia botuese “Armagedoni”.
Tregimet e këtij libri, sipas një shënimi të kritikës së re Ardona Bullatovci, edhe mund të lexohen sistematikisht, por edhe të shkëputur nga njëri-tjetri. Ajo që i lidh bashkë këta tregime është mjedisi, është shoqëria, e cila mund të jetë e Kosovës për shkak të toponimisë së vendit, por dhe mund të jetë e huaj për shkak të skenave të paraqitura, në të cilat personazhet janë shumë dramatikë, pasi veprojnë brutalisht: therin me qelq dhe me thika njerëz dhe po të njëjtit gjuajnë me revole të kalibrave të ndryshme edhe brenda objekteve, edhe jashtë tyre.
Sipas Bullatovcit, Mehmeti këtë libër me tregime e shkruan për shijen e lexuesit entuziast, po edhe të atij që ka lexuar literaturë nga stilistika, semiotika dhe pragmatika, që ka dije për strukturën e tregimeve dhe për gjuhën e prozës dhe që i di domethëniet e figurave prozaike. Së këndejmi dhe sipas saj, në tregimet e Mehmetit nuk është vetëm dulce et utile e Horacit po, përtej kësaj, është aparatura e postmodernizmit, me shumë mjete të vetat.
Me këta tregime dhe me këta personazhe Mehmeti nuk ka qëllim vetëm t’i denoncojë fenomenet e mbrapshta që ata bëjnë, por dhe t’ua bëjë me dije atyre që i bëjnë, se ato janë shumë të turpshme dhe se, po qe se i bëjnë, ose do të përfundojnë prapa grilave, të burgosen dhjetëra vjet nga gjykatat, ose të vriten nga ata që ligjin e respektojnë ilegalisht.
Në rrëfimet e shkëputura të Mehmetit veprojnë kriminelë të emërtuar, të paemërtuar që, për motive tradicionale dhe për arritje të famës, vrasin të rinj dhe të reja, të vjetra dhe të vjetër. Por, prapa këtyre rrëfimeve qëndron autori, me idetë dhe gjuhën kritike, i cili, duke tallur të kaluarën dhe duke i bërë një inspektim rasteve, përpiqet t’i ndalojë krimin, korrupsionin dhe degjenerimin.
Në këto faqe lexuesi gjen ironi kudo, pastaj satirë dhe sarkazëm. Me figurën e ironisë Mehmeti godet paditurinë, nacionalizmin, neglizhencën në spitale dhe në institucione të ndryshme të shtetit, pastaj egocentrizmin, antiheroizmin etj.