Telekomi drejt kolapsit, përmbaruesi ia bllokon të gjitha llogaritë bankare

08 nëntor 2024 | 17:06

Një vendim i Përmbaruesit Privat, Flamur Bogaj, ka bërë që t’i bllokohen të gjitha llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës. Ky vendim ka bërë që Telekomi i Kosovës të shkojë drejt kolapsit.

Drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, për “FrontOnline”, ka njoftuar se i është bllokuar llogaria bankare, krahas shumë bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të tij.

Ai ka thënë se nga 3 tetori, llogaritë janë të bllokuara nga përmbaruesi privat Flamur Bogaj, pas një vendimi gjyqësor që Telekomi i Kosovës ka me Kompaninë Z-Mobile.

“Ne prej datës 3 tetor i kemi llogaritë e bllokuara nga përmbaruesi privat, Flamur Bogaj, lidhur me një vendim gjyqësor me kompaninë Z-Mobile, që ka qenë. Është shumë e vështirë kjo gjendje. Kemi pasur obligime të vjetra deri tash kanë pasur mirëkuptim kreditorët, por tash janë shqetësuar dhe po interesohen dhe kemi hyrë në vonesa të pagesës së faturave. Ne kemi bërë ankesë në shkallën e dytë të vendimit”, ka thënë ai.

Kelmendi ka potencuar se më 3 tetor kanë marr vendimin, derisa kanë bërë një ankesë pas vendimit për bllokimin e llogarive bankare, por që deri më tani nuk kanë marr përgjigje.

“Më 3 tetor ka ardhë vendimi, kemi bërë ankesë në shkallën e dytë brenda afatit pesë ditor dhe janë bërë një muaj e më tepër dhe akoma s’kemi marrë përgjigje”, ka thënë Kelmendi.

Drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, ka thënë se shpreson në një vendim pozitiv nga shkalla e dytë derisa deklaron se nuk kanë mjet tjetër, nëse edhe shkalla e dytë vendos sikurse shkalla e parë, dhe se nëse kjo ndodhë, duhet pritur vendimin e Gjykatës Supreme.

“Shpresojmë se shkalla e dytë me e anuluar vendimin për shkak se rasti është edhe në Gjykatën Supreme dhe po presim mos eventualisht do të vije diçka në favor tonin që me e anuluar vendimin e shkallës së parë derisa të vije vendimi i Gjykatës Supreme. Shkalla e parë nuk është dashur ta mbajë në fuqi urdhrin përmbarimor”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se se nëse shkalla e dytë është refuzuese për ankesat e tyre, atëherë Telekomi i Kosovës, duhet punojë katër muaj pa kryer pagesa tjera, në mënyrë qa mbledhë shumën prej 10 milionë eurove, krahas vendimit përmbarimor.

“Praktikisht, kompania nuk ka më asnjë instrument në dorë derisa të mblidhet shuma e borxhit, që pretendohet nga pala tjetër, që është diku 10 milionë euro. Telekomi duhet 4 muaj me i mbledhë të hyrat pa bërë asgjë tjetër, për me bërë shumën që pretendohet nga kompania”, ka thënë Kelmendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditën e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës do…