Telekomi nuk është afër privatizimit
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë se Telekomi nuk është afër procesit të privatizimit as në aspektin procedural e as në atë të gjendjes momentale.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në situatën aktuale në të cilën ndodhet Telekomi është e pamundur të privatizohet.
“Po flitet dhe po proklamohet një privatizim që askund afër nuk është as në procedura dhe as në situatën në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës”, ka thënë Istrefi, duke shtuar se deklaratat e tilla për privatizim më shumë i ngjasojnë fushatës elektorale sesa që ka diçka konkrete.
Istrefi ka thënë se në momentin që ka marrë postin e kryeshefit ka targetuar disa projekte që të ketë stabilitet Telekomi dhe, sipas tij, një ndër to ka qenë ristrukturimi.
Ai ka thënë se janë duke punuar shumë që të krijojnë një qëndrueshmëri në Telekomin e Kosovës.
Albulena S. MAVRAJ
“Epoka e re”: Z. Istrefi, në çfarë gjendje është Telekomi i Kosovës?
Istrefi: Telekomi nuk është në gjendje të kënaqshme. Jemi duke punuar shumë që ta krijojmë një qëndrueshmëri. Këtë javë kemi pasur takime jashtëzakonisht pozitive për Telekomin. Me veprimet që do t’i marrim në ditët e ardhshme do të sigurohet një stabilitet afatgjatë.
“Epoka e re”: Çfarë veprimesh?
Istrefi: Telekomi ka tre vjet e gjysmë që nuk ka kontratë të mirëmbajtjes dhe kemi një degradim të shërbimeve që po i bënë konsumatorët të jenë të pakënaqur. Me operatorin ekonomik jemi në kontakte të vazhdueshme dhe kemi arritur një paramarrëveshje dhe pavarësisht situatës që institucionet tona nuk na kanë mbështetur në aspektin financiar, jam zotuar se bashkërisht me stafin dhe me mundësitë tona do të arrijmë ta financojmë dhe ta përmbyllim këtë projekt. Sa më parë të fillojë implementimi i këtij projekti është më mirë, pasi garanton siguri në sistemet operative dhe kualitet të lartë me implementim të “Contry-Code”. Andaj ka mundësi që të hyrat financiare që i kemi dhe që obligohemi ndaj “Monaco Telekomit” për shfrytëzimin e kodit 377, që janë afërisht 300 000 euro në muaj të rikthehen në Telekom. Në këtë mënyrë Telekomi do të fillojë ta marrë veten siç ka qenë më herët, po flas për vitet 2015-2016. Asnjëherë nuk marrë përgjegjësi që Telekomi do ta ketë nivelin që e kishte nga vitet 2009-2011. Shifrat e të hyrave kalojnë 5.5 milionë euro në muaj, por kemi obligime ndaj stafit, ndaj shtetit, siç është TVSh-ja, tatimi në fitim dhe në burim, si dhe obligimet ndaj operatorëve. Që të gjitha këto obligime kontraktuale kemi arritur t’i përmbyllim pa ndonjë telashe.
“Epoka e re”: Si ishte ky sezon në aspektin financiar?
Istrefi: Pavarësisht prej problemeve që po ballafaqohemi çdo ditë, në saje edhe të fluksit të diasporës kemi pasur thyerje të rekordit për produktet që i kemi përzgjedhur. Kishim paketa atraktive dhe arritëm në rekordin që nuk ka qenë ndoshta nga fillimi i Telekomit. Po ashtu, “romerë”, që janë konsumatorët që kalojnë nga një operator në tjetrin, ka pasur jashtëzakonisht shumë. Pra, kemi pasur mbi një milion kërkesa për kyçje. Mund t’ju them se kemi shënuar rekord të paparë përkundër sfidave në aspektin teknik.
“Epoka e re”: Si qëndron Telekomi me institucionet e tjera sa iu përket shërbimeve dhe a po respektohet marrëveshja me MAP-in?
Istrefi: Fatmirësisht, kemi një vendim nga OShP-ja dhe KRPP-ja që të gjitha shërbimet sa i përket fushës së telekomunikacionit, institucionet publike duhet t’i marrin tek operatori publik. Ai vendim na ka siguruar një punë më efikase që të jemi çdoherë pranë institucioneve tona me ofrimin e shërbimeve sipas kërkesës së tyre. Si proces ka ecur jashtëzakonisht mirë, por jemi të pakënaqur me disa institucione. Mund të themi lirisht se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që është ministria e linjës së drejtpërdrejtë, ende nuk i ka shërbimet e Telekomit, por të atyre të konkurrencës. Gjithashtu, ka edhe institucione dhe komuna të tjera që nuk i kanë marrë shërbimet tona. Jemi në fazën kur duhet të përmbyllet një kontratë dhe më pastaj t’i nënshtrohemi një procesi tenderues, që pastaj me kohë t’i bëjmë ankesat për çdo institucion i cili është i obligueshëm të lidhë kontratë me institucionin publik, në këtë rast me Telekomin e Kosovës.
“Epoka e re”: Sa i përket platformës televizive, si qëndroni? Së fundi keni arritur marrëveshje me “TV Klan”-in.
Istrefi: Në vazhdimësi kishte kërkesa që Klani i Shqipërisë të jetë në platformën tonë. Ishte një ekskluzivitet i padrejtë nga konkurrenca dhe kemi bërë padi dhe kemi kërkuar mos të bëhet monopol. Pas negociatave për një vit, arritëm t’i kemi edhe shërbimet e “TV Klan”-it, pasi 90 për qind e ankesave të konsumatorëve ishin për këtë.
“Epoka e re”: Kur do të jetë i qasshëm “TV Klan”?
Istrefi: Nga 1 shtatori.
“Epoka e re”: Përfaqësues të “Deutsche Telekom”-it u takuan me ministrin Lluka lidhur me përgatitjen e Telekomit për ristrukturim. A jeni takuar edhe ju me këta përfaqësues?
Istrefi: Po, në të njëjtën ditë i kam takuar edhe unë. Patën një kërkesë që të krijohet një hartë e mundësisë së krijimit të kushteve, por çdo herë, sipas kërkesave të Telekomit, që të krijohet një proces ligjor më i mirë i mundshëm rreth privatizimit. Në situatën aktuale është e pamundur të privatizohet Telekomi. Ndoshta po flitet dhe po proklamohet një privatizim që askund afër nuk është, as në procedura dhe as në situatën në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës. Jemi marrë vesh me MZhE-në që të kemi së paku një ristrukturim të mirëfilltë i cili në minimum merr kohë gjashtë muaj deri në përfundim.
“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni nga ky ristrukturim dhe a duhet të hyjnë në të edhe pagat e larta të bordit dhe menaxhmentit?
Istrefi: Në bazë të marrëveshjes që kemi me MZhE-në dhe EBRD-në, parashihet që në komision të jenë tre anëtarë, nga ERBD-ja, MZhE-ja dhe një nga Telekomi. Tani janë në fazën përzgjedhëse të kompanisë, që pastaj në minimum ky proces zgjatë gjashtë muaj. Në situatën politike që ndodhemi mendoj se deklarimet nga ministria e linjës (MZhE-ja) për privatizim janë proklamime më shumë për fushatë elektorale sesa ka diçka konkrete. Në momentin që kam marrë postin e kryeshefit i kemi targetuar disa projekte që të kemi stabilitet dhe njëra ndër to ka qenë edhe ristrukturimi i Telekomit. Siç e dimë, nga viti 2005 Telekomi nuk ka pasur strukturim të mirëfilltë. Çdo menaxhment që është ndërruar ka dalë nga struktura e organogramit dhe ka krijuar pozita fiktive, që më pas janë ngritur shpenzimet operative dhe, si të tilla, në momentin që ndodhemi, janë të pakonsumuara në aspektin që mund të kontribuojnë në situatën në të cilën ndodhemi. Së bashku me stafin kemi identifikuar që duhet të bëhet një nivelizim i pozitave dhe i gradës që afekton në aspektin financiar. Ka departamente dhe pozita që nuk kanë nevojë të jenë, të cilat krijojnë obligime financiare. Në bazë të një analize financiare që kemi nxjerrë, kemi targetuar si prioritet të madh shifrën prej 350-400 mijë eurosh që mund të jetë kursim mujor. Ne kishim filluar me procesin e tenderimit për një kompani ndërkombëtare që ta bëjë ristrukturimin, por që në përfundim kemi pasur ndërhyrje nga ministria e linjës, MZhE-ja, që ky proces të ndalohet për shkak se MZhE-ja ka planifikuar që kjo të bëhet përmes IBRD-së dhe kemi humbur kohë nëntë muaj. Sikur të përzgjidhej atëherë kompania, tani procesi i ristrukturimit të Telekomit do të kishte përfunduar dhe planifikimi në të hyra financiare do të reflektohej. Tani, fatkeqësisht, kemi filluar me një proces tjetër të ristrukturimit dhe jemi në pritje të përfundimit të kompanisë, që do të marrë kohë minimumi gjashtë muaj.
Sa iu përket pagave, janë të caktuara nga menaxhmenti i mëhershme. Kështu i kam gjetur dhe është e pamundur si kryeshef ekzekutiv të marr vendime për t’i ulur. Menaxhmentet e mëhershme kanë marrë vendime për ulje pagash, por që kanë pasuar proceset gjyqësore, pasi punëtorët janë ankuar nëpër gjykata dhe kanë aprovuar ankesën e tyre, kurse tani jemi duke e paguar një dëm jashtëzakonisht të madh pavarësisht prej situatës në të cilën gjendemi. Në mirëkuptim me kolegët jemi duke arritur një marrëveshje jashtëgjyqësore që ky obligim financiar i aprovuar nga gjykata të kryhet në mënyrë retroaktive. Jemi duke punuar ngushtë me sindikatën e Telekomit dhe duke u konsultuar çdoherë me ligje në fuqi se si të marrim veprime. Për menaxhmentin mund të them se janë pagat e lartë, ndërsa për stafin e brendshëm mendoj se i meritojnë pagat karshi punës që bëjnë.
“Epoka e re”: Sipas jush, kur do të ndodhë privatizimi dhe a rrezikohen punëtorët?
Istrefi: Nuk kisha dashur të mendoj që me këtë proces të vijë deri te rrezikshmëria e punëtorëve. Telekomi ka investuar jashtëzakonisht në staf. Për 20 vjet është përgatitur ky staf dhe ju them se është aseti kryesor. Po ashtu, duhet të gjendet një strategji e leverdishme në mes të Telekomit dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për pensionim të parakohshëm për punëtorët pasi mosha mesatare është 50-55 vjet dhe shteti duhet të ketë politika të një plani për pensionim të parakohshëm dhe, gjithashtu, të ketë skema të mira siç i kanë aplikuar vendet e rajonit. E ritheksoj mendimin tim dhe të menaxhmentit që nuk jemi kundër privatizimit, por që së pari duhet të krijohet një qëndrueshmëri dhe stabilitet brenda Telekomit. Në momentin që të dërgohet në privatizim, ta ketë një vlerë të merituar Telekomi pasi, siç e dimë, ky institucion këtij vendi i ka dhënë mbi 480 milionë dividendë dhe nuk e meriton trajtimin që i është bërë vitet e fundit dhe të vijë të një rezultat që të mendohet të jepet për hiçgjë.
“Epoka e re”: Ku ka mbetur çështja e fazës transitore për 300 mijë numrat e “Z-Mobile”-s dhe a ka shenja për ndonjë arbitrazh të mundshëm?
Istrefi: Në momentin që janë shpallur negociata të pasuksesshme pas ofertës së pranuar, bordi ka marrë vendim ta njoftojë “Dardafon”-in që ta ndërpresim çdo marrëdhënie të mundshme kontraktuale, pasi kontrata ishte e lidhur edhe me periudhën e licencave. Nga ai momenti ka filluar faza e tranzicionit. Kemi pasur takim të ekipeve të brendshme me “Z-Mobile” dhe kemi biseduar se si ta bëjmë implementimin sa më shpejt të fazës së tranzicionit. Jemi duke punuar dhe me ARKEP-in që mos të ketë më pas afekte ligjore, pasi kishim arbitrazhe të ndryshme. Po ashtu, jemi duke punuar edhe me ekspertë ligjorë të jashtëm dhe me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por që primare është që konsumatori mos të jetë pa shërbime. E jona ka qenë që të gjitha veprimet që i kemi marrë të jenë konform ligjeve. Është e drejtë e gjithsecilit të bëjë si t’ia merr mendja.