Telekomit të Kosovës i bllokohen llogaritë bankare
Telekomit të Kosovës i janë bllokuar të enjten pasdite llogaritë bankare.
Kjo ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin prej 5.7 milionë euro ndaj Z-Mobile.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj.
Balaj e ka quajtur veprim të kundërligjshin, i cili tha se nesër do të dalin me një reagim zyrtarë.
“Po bllokimi ka ndodhur pak para orës 16:00. Për mua është një veprim i jashtëligjshëm, por nesër do të dal me një reagim zyrtarë”, ka thënë ai për Front Online.
Telekomi ishte ankuar javë më parë për vendimin e Komerciales, duke e cilësuar të jashtëligjshëm e kriminal.
Kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, e pati akuzua gjyqtarin e rastit se është i përfshirë në skemë kriminale.
Aktvendimi i Komerciales e obligon Telekomin t’ia paguajë “Dardafonit” 5.7 milionë euro, dhe kjo pas mbi 40 milionë sa ia ka paguar më parë po kësaj kompanie.