Televizioni brazilian, reportazh mes bukurive shqiptare (Video)
TV Globo, një nga televizionet më të mëdha në Amerikën latine, i ka kushtuar kohë dhe vëmendje Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke thurur jo pak lavde për bukuritë natyrore, historinë dhe traditat e vendit tonë.
Gazetarja Gloria Maria, ka vizituar Shqipërinë dhe ka përgatitur një dokumentar 40 minutësh kushtuar pasurive natyrore dhe kulturës së shqipërisë, që siç thotë ajo, po rilind pa e humbur identitetin.
Në rrugëtimin e saj përmes Shqipërisë, Gloria Maria, thotë se është njohur me njerëz karizmatikë, por edhe me kuzhinën e pasur që në vetvete ruan traditat e më shumë se 10 shekujve. Ajo përmend bukën e pjekur në prush apo tavën e kosit me mish qengji.
Gazetarja mrekullohet edhe nga historia e vendit tonë, që siç shprehet, shfaqet në tradita si muzika polifonike, që është pjesë e trashëgimive botërore të UNESCO-s dhe në arkitekturë, me rrënojat që kanë qenë dëshmitare të kalimit të pesë qytetërimeve.
Kamera e ekipit brazilian ndalet edhe në qytetin e beratit, një relike e perandorisë otomane; bunkerin ku diktatori komunist do të mbrohej nga sulmet dhe tek besimet fetare në vend, që ishin të ndaluara për gjysmë shekulli por që tani jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.
Globo është televizioni më i madh komercial në Amerikën latine dhe i dyti më i madh në botë, pas amerikanit ABC. Globo tv është edhe prodhuesi më i madh i telenovelave braziliane.