Telstra e Australisë blen firmën e Paqësorit ‘për të bllokuar Kinën’
Qeveria australiane dhe gjiganti i telekomit Telstra pritet të blejnë një kompani telekomunikacioni të Paqësorit në një sipërmarrje të përbashkët.
Lëvizja po shihet si një bllok politik ndaj ndikimit të Kinës në rajon, shkruajnë mediat e huaja.
Telstra e quajti marrëveshjen prej 2.1 miliardë dollarësh australianë (1.6 miliardë dollarë) një “mundësi tregtare unike dhe shumë tërheqëse për të rritur praninë tonë në rajon”.
Digicel Pacific punëson 1700 njerëz në të gjithë Papua Guinenë e Re, Fixhi, Samoa, Vanuatu dhe Tahiti.
Ndryshe, e ardhmja e kompanisë ka qenë në qendër të spekulimeve për muaj të tërë.
Vitin e kaluar Digicel mohoi një raport se ishte në bisedime për të shitur degën e saj të Paqësorit tek kompania shtetërore China Mobile.
Analistët thonë se kompania përndryshe do të ishte tërheqëse për Kinën pasi kërkon të pohojë autoritet më të madh në rajon, përcjell “Telegrafi”.
“Digicel është lojtari kryesor në Paqësor dhe Australia e sheh atë si një aset strategjik që nuk mund ta lejojnë të bjerë në duart e Kinës”, ka thënë Jonathan Pryke nga Instituti Lowy, një institut kërkimor me bazë në Sidnei.
“Ata janë të prirur për të rikthyer biznesin australian në Paqësor”.