Tema për zgjedhjen e presidentit është e parakohshme
Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do të flasë për zgjedhjen e presidentit kur të vijë koha. “Kushti i PDK-së është konkret, Kosova e ka presidentin e saj, një personalitet dinjitoz deri në afatin kushtetues. Dhe, ne flasim për këtë temë kur të vijë afati kushtetues. Por, aktualisht Kosova ka president dhe nuk është e ndershme që të flitet e të diskutohet për atë. Nuk është e ndershme të flitet për atë se kush do të jetë president, në një kohë kur presidenti i vendit është në detyrë”, u shpreh Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, partitë politike kanë të drejtë t’i propozojnë kandidatët e tyre, por PDK-ja do të flasë kur të vijë koha me subjektet e tjera politike në vend dhe të shoh se cila është gjëja më e mirë për vendin në këtë aspekt.
“Është në rregull, mund ta propozojë AAK-ja por, në asnjë vend të botës, përveç atëherë kur ka garë presidenciale, ku presidenti zgjidhet në mënyrë direkte, askund nuk diskutohet zgjidhja e presidentit 4-5 muaj më herët. Është e drejtë e partive politike t’i propozojnë kandidatët e tyre, por ne flasim për këtë temë vetëm kur vjen afati, ulemi me subjektet e tjera politike dhe shohim cila është mundësia më e mirë për vendin”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj tha se diskutimin për çështjen e zgjedhjes së presidentit e sheh si joserioze, duke qenë se deri në përfundim të mandatit të tij janë edhe rreth pesë muaj. “Është aq joserioze në politikë me fol për atë se kush mund të jetë president në pranverën e vitit 2021. Nuk dua që ta mohoj debatin në demokraci, por një subjekt serioz me një qëndrim serioz nuk fol për atë se çka do të ndodhë pas 4-5 muajsh në Kuvendin e Kosovës, kur diçka varet prej krejt subjekteve politike që janë në Kuvend, se kush mund të zgjidhet. Prandaj, për neve është temë e parakohshme”, tha ai.