Tema të ndryshme që dëshmojnë pjekurinë e poezisë shqipe
Prof. dr. Emin Kabashi
Një vepër studimore që e nderon shkencën e albanologjisë – (Vebi Bexheti, “Magjia e fjalës poetike”, Tetovë, 2018)
Në tërësinë e veprës së tij studimore, “Magjia e fjalës poetike”, studiuesi Vebi Bexheti, është marrë edhe me një varg çështjesh, karakteristike për poezinë e krijuesve të ndryshëm. Një temë e veçantë është ajo, ku në poezi të krijuesve të ndryshëm, është shpaluar tërësia e gjeografisë së atdheut, të atij atdheut që e kishte shpallur Ismail Qemali në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912.
Në studimin “Gjeografia shqiptare në disa poezi shqipe, pas pavarësisë së Shqipërisë”, studiuesi fillimisht është marrë me poezinë e Gjergj Fishtës, i cili, Konferencës së Ambasadorëve në Londër ia kushton një këngë të veprës së tij madhore “Lahuta e Malcis”. Së pari, duke pasur iluzione se më në fund Evropa e kishte bërë të vetin parimin e drejtësisë dhe nuk do të përgjysmonte tokat shqiptare dhe popullin shqiptar. Së dyti, kur realiteti historik vjen si gjëmë që del nga deti, siç do të thuhej me gjuhën e eposit tonë, atëherë poeti Gjergj Fishta shkruan poezinë “28 Nanduer 1913”. Poezia është shkruar në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.
Poeti, tashti i drejtohet zanës, jo për të kënduar, por për të vajtuar për fatin tragjik të atdheut të tij, deri në atë shkallë, sa as Flamuri kombëtar më nuk kishte asnjë vlerë, ngase si mund të kishte kuptimin e simbolit të bashkimit kombëtar, kur kishte mbetur një gjysmë Shqipërie. Fishta e i madh, zbrazet më mllef: “Jo, jo Shqyptarë! Por banje flamurin duqe / E zhytnje n’Dri t’mos ta zhvillojë kurrë era / Flamuri kombëtar nuk ka shka ban dër ne / Po kje se dashtuni nuk kem p’r Atdhe!” (Po aty, 143).
Mirëpo, si një poet, që fati i atdheut ishte më i rëndësishëm se çdo gjë në jetë, se tragjedia e atdheut ishte aq e madhe, sa as thadrimi i vargut poetik nuk kishte më kuptim, atëherë vjen poezia-kushtrim, që të rralla i ka shoqet në tërë poezinë e periudhës së pas pavarësisë së Shqipërisë. Poeti kombëtar i thërret shqiptarët: “Ktu, ktu shqyptarë!…A ndiet!…ku u kam… Ku jeni./ Mo’ leni burra!…M’armë!…Mbaroi Kosova!…/ Ianina humbi!e ndoshta Tepeleni…/ Shkoi Manastiri! Dibra dhe Gjakova!…/ Vendet ma t’mira ne na i mori shkjau, / E shk’asht ma zi, në vlla me vlla na dau! / Ah: m’kamb, bre burra! M’kamb! Shka / jeni mheshun/ ndër furkat t’gravet…!” (143), duke ia dhënë poezisë së tij, rolin dhe detyrën që nuk e kishte arti poetik, pra duke ia ngarkuar barrën e flijimit për lirinë e atdheut, që në një mënyrë, a në një tjetër, bëhet kult poetik i poetit tonë, siç edhe i pjesë më të madhe të krijuesve tanë të Rilindjes kombëtare.
Poezi të këtilla, me temën dhe motivin për pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për copëtimin e gjeografisë kombëtare, pas kësaj pavarësie, kanë shkruar edhe poetët e tjerë. Ndër ta edhe Sejfulla Malëshova, që po ashtu, është karakteristik, edhe për faktin se ai, njësoj si rilindësi i madh Naim Frashëri, si poeti i madh, Gjergj Fishta, numëron viset shqiptare që ia kishin hequr gjeografisë së atdheut, duke i ftuar djalërinë shqiptare që të ngrihej në luftë për liri, se pa gjakun tuaj, nuk çlirohet dhe nuk bashkohet vendi.
Një krijues i veçantë, në punë të ligjërimit poetik, edhe specifik, me mënyrën e shtjellimit të lashtësisë kombëtare dhe të së drejtës së luftës për çlirim dhe liri, sidomos në poemën e tij madhore, Poem kosovar, është Mitrush Kuteli. Një vepër poetike, e rrallë për frymëzimin e saj atdhetar, fillon nga shekujt e Ilirisë e vjen në ditët e copëtimit të gjeografisë së atdheut, duke shpërfaqur tragjedinë e Kosovës, si pjesë të tragjedisë së atdheut, kurse në nëntekstin poetik, ka qëmtuar edhe prapaskenat e zhbërjes dhe asimilimit të pjesëve të popullit shqiptar, herë duke i shpërngulur me dhunë, herë duke i përçarë vëlla me vëlla. Por, për çudi të lexuesit shqiptar, dje dhe sot, kjo vepër, pas botimit të saj në Tiranë, në vitin 1924, botohet vetëm pas 67 vjetësh në Prishtinë, në vitin 1991.
Qoftë edhe vetëm ky fakt, krejt teknik, flet shumë, aq shumë sa bëhet klithmë për gjendjen tonë të dashurisë ndaj lirisë së atdheut dhe bashkimit kombëtar. Përkundër faktit se sakrifica për lirinë dhe atdheun nuk ka munguar kurrë, nuk mund të merret me mend, se ç’nevojë kishte poezia të bënte thirrje të këtilla për ta mbajtur gjallë idealin e lirisë së vendit, derisa historia i kishte futur veshët në lesh, e pjesë të atdheut copëtoheshin dhe zbrazeshin çdo ditë e më shumë. Por, poetin e mban gjallë ideali i dashurisë ndaj atdheut, andaj heroi i tij lirik, më në fund, ngre zërin, si në vargjet: “Jam/ tani/ unë jam gati/ të vdes që sot/ s’rroj për mot/ mbytem me gjak/ po jo me lot/ Për këtë dhe q’e kam si fe/ e përmbi fe/ E kam Vatan!/ E kam Atdhe”/. (146).
Pavarësisë së atdheut, Shqipërisë, por edhe copëtimit të saj i kanë kushtuar poezi, edhe poetë të tjerë shqiptarë, disa nga të cilët, shumë të veçantë me vlerat e përgjithshme të artit të tyre poetik. Poezi me këtë motiv ka shkruar edhe Lasgush Poradeci, por ka shkruar edhe Ernest Koliqi, e ndonjë tjetër.
Në veprën e tij studimore, “Magjia e fjalës poetike”, studiuesi Vebi Bexheti, një studim të veçantë ia ka kushtuar artit të poezisë së Esat Mekulit, duke e cilësuar edhe si një shkollë me vete, qoftë poezinë e tij, qoftë veprimtarinë e tij kulturor në fazat e para të zhvillimit të letërsisë shqipe në këtë pjesën e pushtuar të atdheut.
Një temë interesante, qoftë për mënyrën e konceptimit, qoftë mënyrën e shqyrtimit, të cilën studiuesi e ka vështruar, e ka analizuar dh e ka shqyrtuar nga një kënd i veçantë, është studimi “Personazhi i gruas bashkëshorte në poezinë e Dritëro Agollit”. Mund të thuhet se e veçanta e analizës së këtij motivi në poezinë e Agollit, lidhet në radhë të parë me krijuesin, pastaj me gruan bashkëshorte, sepse ajo bëhet mbështetëse e përhershme e poetit. Janë disa poezi të Dritëro Agollit, që studiuesi ka marrë në shqyrtim, duke specifikuar te secila rolin e gruas në jetën dhe krijimtarinë e poetit. Të tilla janë poezitë, “Pasuria”, “Qetësia e bukur”.
Poeti jo vetëm i këndon gruas bashkëshorte, por ia numëron barrën jetësore që asaj i ka rënë hise, duke pasur një burrë krijues: “Të kam lënë fëmijë e shqetësime mbi shpinë, / Të kam lënë pazarin, radhën e netët fillikat, / të kam lënë mbi shpatulla gjithë shtëpinë’’. (166). Ka edhe poezi të tjera që i ka marrë në shqyrtim studiuesi, sa duket, edhe për të shpaluar atë thjeshtësinë e mrekullueshme të bërjes poezi, që ishte cilësia e parë e poetit të madh, Dritëro Agolli. Të tilla janë poezitë, “Vjersha e vrarë”, por ndoshta më e veçantë është poezia “Do të më kujtosh” ku poeti e di se ç’boshllëk lë vdekja, por e di edhe jetën e përtejme të artit të fjalës poetike.
Studimi i Vebi Bexheti do të ishte i mangët, pas shqyrtimin e një aspekti të veçantë të krijimtarisë poetike të Ismail Kadaresë. Andaj, titulli i studimit “Kadareja i dashuruar”, jo vetëm zgjon kureshtjen e lexuesit, ngase pret me padurim, për të hetuar qasjen e studiuesit, si dhe ku e ka mbështetur përkufizimin e këtillë që në titull të studimit të tij.
Studimi merret me një dorë poezish të Kadaresë, të shkruar gjatë qëndrimit të tij për studime në Moskë, të cilat janë botuar në vëllimin e shtatë të kompletit të tij, në vitin 2008. Për lexuesin shqiptar, tashti më janë të njohura poezitë e poetit, kurse ndër më të veçantat janë poezia “Mall”, poezia “Edhe kur kujtesa”, poezia tjetër, “Do të vijë koha”, që njësoj si këto që u zunë në gojë trajton motivin e ndarjes së të dashuruarve, njëri nga ky Ballkani i trazuar, tjetra nga veriu i Evropës, por që ishte komuniste. Por, përkundër faktit se një pjesë e poezive të Kadaresë, që ka trajtuar studiuesi Vebi Bexheti, ruajnë brenda strukturës së tyre, motivin e ndarjes, aty nuk ka dhembje, as nuk ka lot qaramanësh, me çka ishte mbushur, jo vetëm poezia shqipe e kohës, por edhe poezia e popujve të tjerë që jetonin nën tutelën e ideologjisë komuniste.
Poeti Kadare, thotë studiuesi, përkundër ndarjes, e ndjenë lumturinë e çastit, duke e lënë hapur dilemën e madhe poetike: “këto flokë biondë / Mbi qafën time derdhur. / Cili i lumtur/ Të tillë ar ka përkëdhelur’’/. (178). Studiuesi Vebi Bexheti, mendon se poema e tij Lora”, e cila një kohë të gjatë nuk ishte botuar, është krijimi më specifik me motivin e dashurisë në poezinë e Kadaresë. Ideologjia, vjen dhe hyn në mes të të dashuruarve. Vjen urdhri që të rinjtë shqiptarë të largohen nga Moska, ku studionin, doemos edhe ku dashuronin. Atëherë, poetit Kadare, nuk i kishte mbetur tjetër, përveç ta përjetësoi, afshin e dashurisë së këputur, dhe dhembjen e pafund, deri te mjegullimi i njeriut: “Zor se në jetë do takohemi. / Adresat humbën, / S’ka letra. / Ti mjegullat, / Unë retë / Do t’i dërgojmë / njëri tjetrit / Gjersa edhe vetë / Të mjegullohemi”/. (179).
Shqyrtimi në tërësinë e tij, ka prekur të gjitha nivelet e realizimit artistik të kësaj poeme të Ismail Kadaresë, duke qëmtuar herë një figurë mendimi, si thënie poetike e veçantë, herë tjetër një metaforë, për të cilat Kadare është mjeshtër, pastaj një alegori, që e bën poezinë të përgjithshme, janë veçorit që e karakterizojnë shqyrtimin e studiuesit të Vebi Bexhetit në këtë studim kushtuar poezisë së dashurisë të Ismail Kadaresë. (Vijon)