Temat e diplomave shiten online
Nuk jemi në Pazar, por veç një klikim larg në rrjete sociale ku kuptohet se sa lehtë mund të blihet një temë diplome.
Ndryshe nga vite më parë, ku impenjimi i studentëve për të përgatitur një temë diplome ishte i madh, sot vlera e saj është venitur.
Temat e diplomës të çdo dege mund të blihen mjaft lehtë thjesht me një mesazh, pasi në internet gjen pafund njoftime për këtë shërbim.
Ofertat për shitjen e diplomave variojnë që nga çmimet deri në zgjedhjen e temës, duke e kthyer këtë mënyrë në një biznes shumë fitimprurës. Pedagogët shprehen jashtë kamerave se punimet akademike janë në rrezik të pashmangshëm ndaj plagjiaturave për shkak të zhvillimit të internetit, pasi nga ana tjetër mungojnë filtra për të certifikuar apo vërtetuar autorësinë. Këtë problematikë e pohojnë edhe vetë studentët, duke treguar disa nga arsyet pse zgjidhet kjo mënyrë diplomimi.
Temë diplome në çdo degë për vetëm 10 mijë lekë të reja nëse e përzgjidhni vetë, në të kundërt 13 mijë lekë të reja. Përfitojnë 20% ulje të gjithë ata që prenotojnë temën e tyre për në shtator.
Ky fenomen nuk ekziston vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Megjithatë ndryshe nga vendi ynë, jashtë zgjidhja është gjetur me hapjen e databaseve të punimeve shkencore, të cilat nuk lejojnë asnjë punim akademik (diploma bachelor apo master) të kalojë në komisione vlerësimi në universitet nëse më parë nuk ka marr certifikimin e plagjiaturës nga software të tillë.
Por Ministria e Arsimit e kontaktuar nga “Top Channel”, ja kalon kompetencat universiteteve. Ndërkohë që krijimi i një database qendror në Shqipëri për të reduktuar rrezikun e plagjiaturës si dhe për të rritur cilësinë e punimeve akademike është emergjent./ Top Channel