Temperaturat e larta në vend, Shpëtimi Malor i Kosovës del me një apel për bjeshkatarët dhe vizitorët e maleve
Kujdes nga temperaturat e larta duhet të kemi edhe gjatë mesit të kësaj jave, kështu thonë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. Por, ata thonë se muaji gusht do të jetë më i freskët se korriku, ndërkohë që paralajmërojnë një fundjavë me rrufe e shi.
Muaji korrik është karakterizuar me temperatura të larta. Qytetarët thonë se gjatë kësaj kohe, i kanë shfrytëzuar parqet për ta kaluar kohën, derisa presin që gushti të jetë më i freskët se korriku.
Kjo javë pritet të karakterizohet me mot të ndryshueshëm, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Besim Aliu nga ky institut, tha se pas motit më të freskët të këtyre ditëve, gjatë mesit të javës do të kemi ngritje të temperaturave nga 35 deri në 36 gradë Celsius, derisa në fundjavë, priten reshje të shiut me shkarkime rrufesh.
“Moti do të jetë me temperatura të freskëta në krahasim me javët që lamë pas, pasi që maksimalja do të lëvizë nga 29 deri 30 grade celsius por nga gjysma e javës nga dita e mërkurë do të kemi masa më te ngrohna të ajrit të cilat vijnë kryesisht nga Afrika Veriore dhe do të ndikojnë grafikut termik, kështu që temperaturat maksimale parashihet të lëvizin, dikund 35-36 gradë celsius”, tha Aliu.
Pas temperaturave të ulëta në fundjavë, Aliu tha se java tjetër do të karakterizohet me një ngritje të lehtë të temperaturave, derisa tha se muaji gusht pritet të jetë me temperatura me të ulëta se korriku
“Gushti parashihet të ketë temperatura më të ulëta do të jetë më i freskët se muaji korrik, sepse edhe në bazë të statistikave shpeshherë kemi gushte më të nxehta se sa korriku, kësaj radhe korrikun e kem më të nxehtë”, theksoi Aliu.
Aliu tha se 25 korriku ishte dita me temperaturën më të lartë të këtij viti.