Tempulli i pavarësisë

26 korrik 2024 | 11:10

Arif Molliqi

 

Kur akrepat e orës ishin ndalur

dikush u ngrit e na tha:

s’kemi kohë të vdesim se jemi vonuar të jetojmë

mbase nën mjegullën e zezë të Kosovës

quan krye siluetat e rrejshëm të komunizmit

para se të na vrisnin na e kërkonim vdekjen

e dikush ia numëronte Adem Demaçit vitet e burgut

njëherë në dhjetë vjet

duke marrë frymë për matanë kufirit

më 1975 për të tretën herë e dënuan

sa vetë Dielli,

sa vetë Hëna e lakmuan…

edhe “Gjarpërinjtë e gjakut” kishin frikë nga fjalët e tij në gjykim

 

në tempullin e pavarësisë më 2008

e kërkova emrin e tij po s’e gjeta askund

fjala e parë plagë e parë më mbeti

të gjithë ata që e kishin harruar

e kishin imagjinuar botën ndryshe

 

sot Afrika përmendet për kohëzgjatjen e një njeriu në burg

e Kosova është në Evropë

e Ademi është i Kosovës me njëzet e tetë vjet në qeli

një histori në vete

dhe prapë fjala jonë vazhdon të mbetet e heshtur

kur i dëgjoj fjalimet e oratorëve patriotikë

kujtimet për të më bëhen sagë e gjatë

derisa e ngre kokën drejt qiellit dhe them:

sa e kisha lakmuar një vdekje si të Tij

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Podujevës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal…