Ten Hagen e ka besimin e Unitedit
Drejtuesit e Manchester Unitedit janë të kënaqur me punën e Erik ten Hag, edhe pse ky sezon nuk ka nisur shumë mirë. “Djajtë e Kuq” renditen pas javës së gjashtë në vendin e nëntë në Premierligë me 9 pikë të grumbulluara.
Tri fitore dhe po kaq humbje për Unitedin, që dështoi edhe në sfidën e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munchenit. Gjithsesi, optimizmi në kampin e kuq është i madh dhe besimi kundrejt teknikut holandez është i palëkundur.
Drejtuesit po përgatitin rinovimin me Ten Hag, të cilin duan të mbajnë gjatë në “Old Trafford”. 53-vjeçari ka kontratë deri më 2025, por tek Unitedi duan ta zgjatin më shumë bashkëpunimin me të.
Një vendim që konfirmon pozitat e palëkundura të trajnerit, por edhe një mesazh i qartë për lojtarët që nuk kanë marrëdhënie të mirë me të si Sancho.