Ten Hagen: Jam i zhgënjyer se brenda një jave humbën shtatë pikë
Manchester United nuk ia doli të rikthehej në rrugën e fitoreve as në supersfidën ndaj Liverpoolit duke i mbyllur 90-minutat e “Old Trafford” me barazimin 2-2. “Djajtë e Kuq” e nisën keq dhe vuajtën shumë në pjesën e parë ndaj Liverpooli, me “The Reds” që shënuan me anë te Luis Diaz.
Megjithatë, në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Erik ten Hag përmbysën rezultatin falë Fernandez dhe Mainoo. Por, ashtu siç ka ndodhur në tre ndeshjet e fundit (Brentford, Chelsea dhe Liverpool), nuk ia dolën ta ruanin avantazhin dhe u barazuan gjashtë minuta nga fundi pas një penalltie të ekzekutuar saktë nga Mohamed Salah.
Pas sfidës, trajneri Ten Hag, theksoi se ende nuk e kupton si lojtarët e tij kanë shpërdoruar avantazhin në tre ndeshjet e fundit të Premier League duke lënë në total shtatë pikë.
“Jam i zhgënjyer nga fakti se brenda një jave humbën shtatë pikë, duhet të fajësojmë veten sepse kemi bërë disa gabime idiote. Por, pastaj ndjehem krenar sepse shoh që skuadra është përmirësuar shumë. Duhet të vazhdojmë të luftojmë për një pozicion më të mirë në Premier League dhe duhet të mësojmë. Ndaj Brentford kemi bërë një paraqitje negative, ndërsa me Chelsean dhe Liverpool meritonim fitoren”, u shpreh Ten Hag.