Tendenca drejt së resë

12 shtator 2023 | 08:43

Realiteti në të cilin jetojmë na përballë me individë, situata apo rrethana të ndryshme duke piketuar edhe paradoksin e kësaj shoqërie. Piktorë, muzikantë, aktorë apo autorë të ditëve të sotme shfaqen si të denjë në profilizimin e tyre, e këtë e jetësojnë duke pasur besim se ajo çfarë kontribuojnë është bumi dominues mbi tjetrin e këtu humb origjinaliteti dhe krijohet fasada e përngjashme mbi të parin, e në këtë formë paraqiten radhë njëri pas tjetrit forma adekuate, prezantimi i dikotomisë e vërtetë-kopje.

Pa dyshim që ne ecim përgjatë një rruge duke ia mun­dësuar vetvetes të kemi një shembull referencial, por jo të bëhemi si ai, të mësojmë e jo të kopjojmë, të kon­turojmë mbi karakterin tonë e jo ta marrim atë të gat­shëm nga pasqyra për të cilën ne mund të shihemi, prandaj lind nevoja për diçka ndryshe dhe koha për të cilën jetojmë duhet të ketë si bazë vetveten dhe jo tje­trin, pra ne duhet ta ndërtojmë ngrehinën e personali­tetit mbi vetveten.

Rrallë, shumë rrallë e gjejmë këtë sidomos në fushën e letërsisë, ku çdokush shkruan shumëçka pa pasur një kriter, atë të përcjelljes së kënaqësisë estetike. Sot nuk bëhet dallim midis një vepre të mirëfilltë dhe një vepre amatore, pasi mungon aspekti i meritokracisë. E nëse rikthehemi në retrospektivë të papërsëritshëm, mbeten autorët e rrymave të ndryshme duke filluar nga anti­kiteti e deri në modernizëm, ku trajtesa të ndryshme vijnë si nevojë e shoqërisë për të përmbushur një boshësi të botës njerëzore ku adaptohet dhe rehatohet në Botën e Trillimit e merret nemitja si efekt estetik.

Ç’ndodh me postmodernizmin sot?

Procesi i të shkruarit kërkon profesionalizëm të lartë dhe aftësi në këtë fushë, duke përkthyer etimologjinë e asaj çfarë mund të ashtu-quhet vepër letrare. Shumë postmodernistë kanë arritur të afirmojnë e pohojnë se tiparet e kësaj rryme janë sa të thjeshta në raport apa­rencial aq të vështira në procede letrare, në forma shkri­more, kurse këtë më së miri e ka realizuar autori i këtij libri, Fitim A. Nuhiu, duke e konstatuar në këtë vepër letrare të prezantuar në zhanrin e poezisë. Tendenca drejt së resë dhe aktualitetit i lë vend lirshmërisë, duke u zhveshur nga parimi i së ‘rregullës’ e duke lodruar drejt rematikës qoftë në aspekt ligjërimor, ashtu edhe në atë stilistik.

Fitim Nuhiu i paraqitet publikut me veprën Vdekja është femër, ku prevalon mendimi se në këtë diapazon poezish rolin primar e ka dashuria si ndjenjë univer­sale e cila formëson minisegmentet mbi këtë koncept si: dashuria për prindërit, raporti bashkëshortor, shoqë­ror, e dashuria mbi enigmatiken, ku pikëmbërritja është tek ekzistenca dhe vlera e saj, e cila ndërton dhe sim­bolin e oportunizmit. Të gjitha këto tematika së bashku na japin bashkësinë e përplotësimit të një vëllimi të mirëfilltë poetik.

Poezia vetë si zhanër influencon drejt një ritmi për­shpejtues, duke respektuar sintaksën e përllogaritur ku nëpërmjet figuracionit stilistik mesazhi tejçohet, pra vargjet koncentrike, izotopike vërtiten te kuptimi i parmë, kuptimi i vetë autorit. Për të parashtruar ide, mendime, gjykime, kritika mbi poezinë duhet inter­aktiviteti bilateral midis nesh dhe poetit që përshkohet si një fije e hollë, e cila, po të vendosim referenca të prera, humbasim format konvencionale Nuhiniane, e po ta lexojmë në metodat tradicionale nuk kuptojmë magjinë e vargjeve, pra e braktisim atë çka letërsia na dhuron, prandaj lexojmë nëpërmjet procedeve letrare.

Kuitesenca e çdo gjëje është koha, e cila është cilë­suar si një matës linear avangardues ku i lejon indivi­dit ta ndryshojë hapësirën për t’u bërë korrigjues i së djeshmes dhe më i mirë i së ardhmes, por stadi disni­ve­lizues i ndryshimit është mosha që shfaqet në per­iudhën e pjekurisë ku autori shprehet: Familja është përgjegjësia ime, /është edhe llogaria ime, ku poeti tashmë gjatë gjithë rrugëtimit të tij pasqyrohet me përgjegjësi për të ruajtur një ekuilibër të saktë mbi konceptin e shenjtë të familjes duke e thurur bukur.

Rematike është trajtimi mbi ndjesitë dhe emocionet e autorit përkundrejt femrës, e konteksti i kësaj linje bëhet personifikues mbi dashurinë e cila nuk është platonike, as metafizike, as himnizuese, por reale duke e piketuar ‘VDEKJE’ nisur edhe nga titulli Vdekja është femër, ku raporti homologues midis tyre e bën të ndërsjellët komunikimin.

Figura e saj aktualizohet me dëshpërimin e thellë dhe motivin e vdekjes, i cili është fenomeni i determinimit religjioz mbi jetën e individit. Poeti thotë:

Vdekja nuk vjen kur dëshironi ju

Por, kur dëshiron AJO,

Sepse ajo është femër,

Ka tekat e saj,

Ka përvojën e saj,

Ka zgjuarsinë e saj.

Vetëm ajo ka fuqinë të nënshtrojë,

Të rrëzojë

Dhe të marrë me vete

Ku t’i ka qejfi ASAJ.

Emotiviteti i një komponenti përfshin dyanshmëri, vdekja e cila unifikon femrën duke e shpirtëzuar, jetë­suar e duke i dhënë jetë si një individ, individ femër pasi sharmi për të cilën ka kjo qenie është jetike. Për­menden qejfi, teka, përvoja, zgjuarsia dhe fuqia, një enumeracion konvergjues i personalitetit të saj ku kri­johet një katapultë foljore të rrëzoj dhe kjo formë e çar­matos botën mashkullore, duke rënë pre e dëshirave të ASAJ, madje ka raste e ankesat e shumta tregojnë se ky realitet kthehet në tragjizëm, në vdekje ku vetë vde­kja është femra, pra vdekja është femër, është nën­shtrim.

Poezitë e autorit janë të çliruara nga rimat tradicio­nale, nga strofat e rregullta katërcinë apo tercina dhe figuracioni i rënduar stilistik. Ato qëndrojnë të lira dhe determinojnë vetë stilin e autorit. Është evidente se Nuhiu është egzigjent ndaj së panjohurës simbo­like, i thellë në gjykim dhe krijon një definicion se letërsia, në fund të fundit, mbetet një botë e cila ka dryna të shumtë kuptimorë dhe se çkodifikimi i tyre duhet t’i mbesë lexuesit profesionist dhe të apasionuar të kësaj fushe.

Nuhiu cilësohet si një poet pararojë, i cili i falë pub­likut artdashës një lajtmotiv tepër të rëndësishëm; të dashurojë gjithçka, jetën, dijen dhe mirësinë duke rrugë­tuar ëmbëlsisht drejt letërsisë, e cila është e vetmja formë për të marrë kënaqësinë estetike që Bota e Njëmen­dësisë nuk mund ta përmbushë atë skutë të mendjes ose të zemrës.

Ai shprehet:

Sa i zbrazur e ndiej veten

Sa bosh

Sa pakuptim gjej jetën që më rrethon

Sa të mjerë e ndiej veten

Sa i pafat që rri i strukur në dhomën time të mjerë, mjerisht.

Kësaj radhe e ndiej veten të vetmuar, ani pse jam i vetëm,

Ndryshe si dikur kur e ndieja veten me humor kur isha i vetëm.

Provoj t’ia ngre volumin muzikës,

S’ndiej asgjë.

Ia ul zërin, dëgjoj mushkonjën që orvatet të më shpojë

Po, po, të më kafshojë

E lë ta bëjë punën e saj, zakonin e saj, paqshëm.

E bën pjesën e vet dhe ik.

Kështu më rezultojnë dhe njerëzit.

Të pinë gjakun dhe ia mbathin.

Disa sillen vërdallë, duke u siguruar në mos ka mbetur ndonjë pikë gjak

Dhe sigurisht, përsëri t’ia mbathin e të braktisin.

Ka ndonjëri që të më bëjë shoqëri të mirë në këtë kohë absurde?!

Nuhiu sjell një novacion në ndryshimin që ndodh mes funksionit dhe veprimit ashtu siç shprehet edhe Grejmas te semiotika e tekstit që ‘veprime të ndryshu­eshme mund ta realizojnë të njëjtin funksion’ e në këtë formë veprimet konkretizohen nga personazhet e fun­ksioni është pjellë e sferës së veprimit.

Kjo performancë sendërtohet mbi unin e individit për individin, e poeti mundohet ta shtrijë hapësirën e rehatisë në disa drejtime, duke nisur së pari me veten e zhgënjehet nga boshësia karakterizuese, një gjendje e pasigurt për të kaluar i vetëm, vijëzon jetën të pakup­timtë e të mjerë duke u mbyllur katërçipërisht në veten e tij, dhimbje kjo e pangushëllueshme. Por, jeta e mono­tonia e saj imponon që individi të përqasë devijanca të cilat sjellin jo rrallëherë ndryshime, kurse poeti ynë merr një iniciativë për ta ndryshuar disi këtë segment jetësor, duke tentuar të dëgjojë muzikë, ta deh vet­veten e të rrëmbehet në vorbullën e ekzaltimit… nuk ia del, e quan atë inekzistente dhe përsëri vetmohet e befasisht ndodh një deux ex machina, këtu nis reflek­timi mbi kuptimin e jetës. Kuptohet se individualizmi vret, por dhe shpëton, e kjo antitezë e fuqishme para­qitet nëpërmjet figurës së mushkonjës që orvatet, siç thotë Nuhiu, te njeriu dhe arrin ta realizojë qëllimin e saj për të jetuar duke ‘dëmtuar’ njeriun shkak për mbi­jetesë. Homologjikisht njerëzit tashmë me njëri-tjetrin kërkojnë të etur të përthithin atë ‘gjak’ dashakeqës, pa menduar dëmin që shkaktojnë, disnivelojnë në këtë formë dobinë, e cila është distanca me tjetrin. E këtë kohë autori e quan absurde, të paperceptueshme të frymojë në një rreth të atillë dhe retorizmi vjen i natyr­shëm pasi parashtrohet qartësisht në pjesë.

Parantezisht ecim në linjën e Grejmasit, ku veprime të ndryshme mund të realizojnë një funksion dhe autori ndihet tejet i lodhur e i etur, duke bërë veprime të ndry­shme për të shkuar te finalizimi i funksionit që është kuptimi i jetës. Karmatike mbetet marrëdhënia mes së mirës dhe së keqes, ku dhënia dhe marrja vjen si nga­cmim i jashtëm duke nxitur reagimin. “Muzikë apo buzikë”, poeti decidon dy sfera veprimi që vepruesi përzgjedh zonën e rehatisë, pra vlerën përballë anti­vlerës, muzika dehëse shpirtërore që jep guxim, shpresë e udhëtim në kohë me anë të mendimeve qofshin këto proleptike apo analeptike, individi kapërcen në formë pegazike, në kujtime e papritmas poeti thotë: në vend të muzës ajo po shfaq vetëm buzët, muzika është shndërruar në buzikë e pason qëndrimin me poezinë Jam kundër, duke determinuar se është kundër dhunës, padrejtë­sisë, barbarisë, diskriminimit e çdo tabuje që e dëmton imazhin e njeriut në thelb, e qenies njerëzore. Poeti e pëlqen të bukurën që shkrihet me thjeshtësinë, njeriun që pasqyron parime morale e hidhërimin që fshihet foshnjërisht pas buzëqeshjes.

Nuhiu ka stil unik e të papërngjashëm me bashkë­kohësit e letërsisë postmoderne. Ndërton parabola të sakta matematikore mbi realitetin e tanishëm, duke demaskuar jo individin, por sjelljen, sepse nën rreshta kuptohet që poeti epiqendrën e ka jo tek e jashtmja, por tek e brendshmja shqetësuese që sapo vjen e po boshatiset njerëzorja e po udhëtohet në amorfizim, një rrugë pa rrugë, pa formë sikundër pa përmbajte.

E këshilla?

Fitim Nuhiu pranon të jetë deciziv në idenë e tij në poezinë e fundit, ku thotë se lumturia gjendet kudo si një shtypje e parfumit ku grimcat rrugëtojnë në një interval kohor dhe rrezja e veprimit është e mirëpër­caktuar për të shkuar në destinacion, pra lumturia nis nga një buzëqeshje e një fillimdite, kur lind e stisur me qarje foshnjërore si reagim për t’u ushqyer e deri në dëgjimin e vajit për largimin nga kjo jetë. Ajo çka ka rëndësi është lumturia që bashkëshoqëron individin në çdo sekondë të jetës, prandaj çfarëdo të ngjajë, ne ta stivojmë në zemër si një ndjenjë dhe në mendje si një kujtim. Poeti thërret fuqishëm për të dhënë një mesazh. Ai thotë:

Lumturia s’është një gjë e paarrirë,

Ajo mund të kushtojë shumë lirë.

Por e gjithë kjo lumturi kërkon vetëm një gjë:

Një zemër të pastër dhe një shpirt të dëlirë

Për të shijuar këto copëza lumturie.

 

Emine Boriçi

Lushnjë, Shqipëri

Verë, 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Kenan Malik / The Guardian Përkthimi: Agron Shala  Një…