Tenistja ukrainase që iku prej luftës, punon si trajnere me fëmijët shkodranë

13 maj 2022 | 08:18

Shqipëria hapi dyert për shumë shtetas nga Ukraina të cilët lanë shtëpitë e tyre për t’u larguar prej sulmeve të raketave ruse. Një prej tyre që mbërriti në Shqipëri është Anastasia Kostenko.

Prej muajit mars ajo braktisi familjen për t’u vendosur në Shqipëri. Përjetimet për babanë dhe nënën e shqetësojnë.

“Jam strehuar në Shqipëri për shkak të luftës, m’u desh të largohesha nga vendi im, pasi situata atje nuk është e sigurt, familjarët i kam në Kiev, komunikoj me ta, por nuk janë të sigurt për të nesërmen. Raketat bien kudo dhe kjo më shqetëson në çdo çast”, thotë Kostenko.

Shqipëria tani për të është vendi perfekt, pasi prej javësh ajo ushtron profesionin e saj.

Anastasia është punësuar në një kompleks sportiv. Puna me trajnimin e fëmijëve, përveç pasionit, shërben edhe si terapi.

“Prej 20 vitesh luaj tenis, federata në Ukrainë më mundësoi një takim me këtë qendër sportive në Shkodër. Merrem me trajnimin e të rinjve, punoj me ta dhe më duket sikur gjej vetveten, pasi lufta më ka shkatërruar emocionalisht. Tenisi është jeta ime”, tregon ajo.

Qetësia që ka gjetur në Shkodër e ka bërë të dashurohet me qytetin. Shëtitjet në pedonale dhe ëmbëlsirat i sjellin në kujtesë qytetin ku ka lindur.

“Njerëzit janë shumë miqësorë, me tregojnë për vendet që duhet të vizitoj, më ndihmojnë gjithmonë, më pëlqen shumë ky qytet. Ecjet e pasdites më rikthejnë në memorie Kievin para luftës. Ushqimi është një tjetër faktor që më ka lidhur me këtë qytet, veçanërisht ëmbëlsirat”, thotë ukrainasja.

Kënaqësinë për mikpritjen e qytetarëve shqiptarë, Anastasia e shprehu në gjuhën shqipe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 100 fëmijë janë konfirmuar se janë vrarë në Ukrainë…