Tensione Ankara-Athinë për ishujt e Egjeut
Turqia kërkon që Greqia të demilitarizojë disa prej ishujve grekë në pjesën lindore të detit Egje. Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar ka akuzuar Athinën se duke instaluar sisteme mbrojtje në këto ishuj shkel konventat ndërkombëtare.
“Statusi i demilitarizuar i këtyre ishujve duhet të mbrohet dhe të vazhdojë”, ka thënë ministri turk i Mbrojtjes për agjencinë zyrtare vendase, Anadolu Ajans.
Turqia i mbështet pretendimet e saj në Konventën e Paqes të Lozanës, të vitit 1923. Mirëpo Athina zyrtare përgjigjet se militarizimi i ishujve të Egjeut Lindor është vendosur me një sërë marrëveshjes ndërkombëtare të mëvonshme.
Ministri grek i Mbrojtjes, Evangelos Apostolakis, ka komentuar se pretendimet e Turqisë nuk kanë asnjë bazë ligjore, ndërsa Ministria e Jashtme në Athinë reagoi me një deklaratë për shtyp, ku theksoi se shtrimi i çështjeve të tilla nuk i përgjigjet nivelit të marrëdhënieve që Greqia kërkon të kultivojë me gjithë vendet fqinje.